Aktualitet
Tatimet mund të të marrin makinën/ Lajmërimi për bizneset që kanë detyrime të pashlyera apo borxhe

Çdo individ apo biznes tatimpagues të cilët nuk kanë shlyer detyrimet tatimore në kohë, rrezikohen t’u bllokohen automjetet. Ky vendim vjen pas një marrëveshje të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me DPSHTRR, e cila përcakton se do të vendosen masa mbi sigurimin e automjeteve që këto subjekte disponojnë. Ndërsa udhëzon qytetarët të kenë kujdes në shitblerjen e makinave me debitorët.
“Çdo subjekt që hyn në transaksione shit-blerje të mjeteve, duhet të sigurohet që mjetet objekt transaksioni nuk i përkasin tatimpaguesve debitorë.
Përmes kësaj marrëveshje tatimet angazhohen që paralelisht të zbatojnë të gjitha procedurat e mbledhjes së detyrimeve me forcë. Për të shmangur këto masa, Drejtoria e Tatimeve u bën thirrje tatimpaguesve të përmbushin detyrimet tatimore në kohë, përndryshe do të ndërmerren penalitete.
“Administrata Tatimore ju bën thirrje tatimpaguesve të përmbushin detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare dhe të mos tjetërsojnë pasuritë e tyre për të shmangur këto detyrime! Çdo akt i nënshkruar në keqbesim ndërmjet palëve me qëllim shmangien e detyrimeve ndaj Administratës Tatimore do të sjellë pasoja ligjore për pavlefshmëri.”
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, do t’i mundësojë administratës tatimore kërkimin e të dhënave mbi mjetet e tatimpaguesve në kohë reale.

