Rajon
TATUAZH në mes të ballit, Alexandër Vulin rikthehet në qeveri
Aleksandër Vulin, themeluesi i Lëvizjes Socialiste dhe krijuesi i ‘botës serbe”, do rikthehet në detyrat shtetërore vetëm gjashtë muaj pas dorëheqjes si kreu I BIS-s. Millosh Vuçeviç e propozoi atë për zevendes kryeministër në qeverinë e re serbe, gjë që nuk është lajm i mirë për një pjesë të Perëndimit.
Vulin do të vazhdojë të mbajë poste të larta publike pavarësisht thashethemeve se ai është një pro rus dhe aspiron të krijojë një botë serbe dhe pavarësisht sanksioneve të SHBA për përfshirje të dyshuar në krimin transnacional, operacione të paligjshme narkotike, korrupsion dhe zgjerim të ndikimit rus në Ballkan.
Lidhur me këtë, Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike Filip Eidus tha për median serbe ‘Danas’ se emërimi i Vulin në këtë detyrë është një demonstrim i inatit infantil dhe vetëshkatërrues.
“Emërimi i një njeriu që është nën sanksionet e SHBA-së për shkak të korrupsionit të dyshuar, përfshirjes në trafikun e drogës dhe lidhjeve me Rusinë si zëvendëskryeministër i një qeverie që supozohet se aspiron anëtarësimin në BE, është demonstrim i neverisë infantile dhe vetëshkatërruese që nuk do të sjell asgjë të mirë për qytetarët e Serbisë. Është njësoj si kur miqtë të këshillojnë të mendohesh para se të bësh tatuazh shpatullën tënde dhe ti i bën tatuazh veten në mes të ballit për mosbindje ndaj tyre” – deklaroi Eidus.
Nga ana tjetër, psikologu Zharko Koraç theksoi se në mesin e turmës së lajkatarëve që rrethojnë Aleksandër Vuçiçin, Vulin zë një vend të veçantë.
“Nuk ka asnjë deklaratë apo vendim të Vuçiçit për të cilin Vulin nuk eshte treguar entuziast. Në fund të fundit, ai vazhdimisht i drejtohet Vuçicit si “komandanti im” sikur të jemi në luftë. Mendoj se për këtë arsye ai nuk e hoqi uniformën kaki”- tha Koraç dhe kujtoi se deklaratat e Vulin për “botën serbe” ishin drejtpërdrejt kundër stabilitetit të rajonit, dhe mbështetja e tij për agresionin rus ndaj Ukrainës, i cili u dënua nga e gjithë Evropa, po i shërben drejtpërdrejt interesave te Moskës.
“Kjo nuk do të ketë vetëm pasoja negative ndërkombëtare për Serbinë. Ai është nën sanksionet e SHBA-së dhe zgjedhja e tij në qeveri është një sfidë e drejtpërdrejtë për SHBA-në, nga e cila varen shumë gjëra në Evropë, veçanërisht në rajon. Serbia nuk do të arrijë askund me njerëz të tillë në qeveri” – deklaroi Koraç.
Ndërsa profesori i Universitetit të Novi Sadit, Bojan Pajtiç, theksoi se në Serbinë e Vuçiçit, ku mediat mbyten, blihen vota, votuesit lëvizin hapur nga qyteti në qytet, Aleksandar Vulin është pikërisht aty ku dhe i takon. Kjo është një shuplakë për Perëndimin, i cili e meritoi për shkak të mbështetjes së tij të qartë dhe të nënkuptuar për diktatorin Aleksandër Vuçiç” – theksoi Pajtiç.