Shkrime
Të dehurit pa alkol në Beograd, hapin hartat në tavolinën e dialogut
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic, në një bisedë me të dërguarin speciale të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, theksoi se kthimi në dialog konstruktiv dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndron në zbatimin e marreveshjes se Brukselit, me theks te formimi urgjent i Bashkësisë së Komunave Serbe.
Vuçic ka shkruar në Instagram se në takim është diskutuar për pozitën e popullit serb në Kosovë, i cili, siç theksoi ai, është i ekspozuar ndaj presionit të vazhdueshëm dhe arbitraritetit të autoriteteve në Prishtinë.
“Pata një bisedë te hapur dhe te drejtë me Miroslav Lajçakun për situatën në Kosovë dhe kushtet pothuajse të pamundura për jetën e popullatës serbe, të shkaktuara keto nga presionet e vazhdueshme dhe arbitrariteti i autoriteteve në Prishtinë. Ritheksova se kthimi në dialogun konstruktiv mes Beogradit dhe Prishtinës dhe normalizimi i marrëdhënieve qëndron para së gjithash në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, gjegjësisht në formimin urgjent të Unionit të Komunave Serbe” – ka theksuar presidenti i Serbisë duke shtuar se Serbia do të mbetet partnere e përgjegjshme e BE-së si dhe mbështetje dhe mbrojtje për popullin serb në Kosovë.
“BE-ja si ndërmjetësues kryesor në këtë proces ka pasur dhe do të ketë një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi dhe për popullin tonë në Kosovë ne mbetemi mbështetje dhe mbrojtje e pakompromis e vatrave dhe të ardhmes së tyre” – deklaroi Vucic
I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është dakorduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për hapat e ardhshëm në dialog.
Këto komente, Lajçak i ka bërë përmes një postimi në platformën X, pas takimit që ka pasur me presidentin serb.
“Në Beograd, pata një diskutim të hapur me Vuçiçin për gjendjen aktuale të dialogut dhe ramë dakord për hapat e ardhshëm për periudhën e ardhshme” – ka shkruar ne X, diplomati sllovak.
Kjo vizitë e diplomatit sllovak në Beograd, vjen pas asaj që kishte të martën në Kosovë, ku u takua me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Pas takimit ai tha se në takim me Lajçkaun ka theksuar se Kosova mbetet konstruktive dhe e përkushtuar ndaj procesit të dialogut.
“Theksova edhe një herë se Kosova mbetet konstruktive dhe e përkushtuar ndaj procesit, pasi marrëveshjet duhet të nënshkruhen dhe zbatohen në tërësi”, ka shkruar Bislimi në X.