Connect with us

Aktualitet

Të ekzekutojnë/ Rrëfimi unik i vrasësit që punon për mafian shqiptare

Bandat shqiptare në Amerikën Latine, veçanërisht në Ekuador, po shtrihen gjithnjë e më shumë dhe po bëhen një fuqi më vete në transportin e kokainës nga këto vende, drejt Europës. “Daily Mail” ka arritur të sigurojë dëshminë e një vrasësi me pagesë, me shumë mundësi nga Ekuadori, që punon për shqiptarët.

Në dokumentarit e gazetarit të “Daily Mail”, Stephen Wright, që e tregon gjithçka në vetën e parë, vrasësi Junior, tregon për mënyrën sesi punojnë mafiozët shqiptarë. Ai tregon se shqiptarët janë shumë rigorozë në atë që kërkojnë. Ata nuk të flasin kurrë në rastet kur nuk ke bashkëpunim me ta dhe se nëse dështon, të vrasin.

Pjesë nga dokumentari: Me një kapele bejsbolli, sytë e tij ishin plot dyshime armiqësore. Ai u përpoq të shikonte dhe të shmangte kamerat, duke parë me nervozizëm majtas, djathtas dhe pas shpine. U ulëm në një cep të restorantit, pranë dritares. Së pari më duhej të konfirmoja se i kuptoja rregullat bazë.

Në asnjë rrethanë nuk duhet të identifikohet dhe asnjë foto të mos publikohet pa lejen e tij, ndryshe do të rezultonte në vdekje pothuajse të sigurt, shpjegoi ai. Dhe nëse e kam thyer fjalën? Edhe jeta ime do të ishte në rrezik… e kuptova shpejt këtë.

Kujdesi ishte i kuptueshëm. I ulur para meje në një restorant turistik të njohur në portin e Guayaquil në Ekuador, portë për në plazhet e Paqësorit dhe ishujt Galapagos, por edhe një nga qytetet më të rrezikshme në botë, ishte një anëtar i një bande që punonte me shqiptarët, për të furnizuar kokainë ilegale në Europën Perëndimore.

Ai thotë se është mësuar të vrasë që në moshën 14-vjeçare. “Më dhanë një armë dhe më thanë të dilja në rrugë dhe ta përdorja atë. Unë qëllova dikë, por nuk jam i sigurt nëse ai vdiq”, më tha ai në spanjishten e tij amtare.

Ishte pak ngushëllim për mua kur Junior, siç do ta quajmë ne, më njoftoi me mirësjellje se kishte vendosur të mos merrte armën me vete sot. Junior është një ndihmës i “Carlos the Devil”, udhëheqës i degës së Ekuadorit të bandës famëkeqe kriminale të Amerikës së Jugut, Latin Kings.

Kjo e vendos atë në zemër të një sipërmarrjeje me mafien shqiptare për të eksportuar drogë përmes Kanalit të Panamasë dhe në veri përtej Atlantikut në qendrat e shpërndarjes në Belgjikë, Holandë dhe Spanjë. Asnjëherë më parë një gangster ekuadorian nuk e ka thyer kodin mafioz të heshtjes për të përshkruar se si funksionojnë bandat shqiptare të krimit të organizuar.

Asnjëherë më parë në karrierën time raportuese prej dekadash për Daily Mail, nuk jam ballafaquar me një njeri kaq të rrezikshëm në një vend ku jeta është kaq e lirë. Sot, në pjesën II të hetimit special të Mail, ne detajojmë se si e ashtuquajtura Mafia Ballkanike është vendosur në Ekuador.

Ne ekspozojmë sesi ‘kapot’ shqiptarë dhe xhelatët e tyre kontrollojnë çdo aspekt të tregtisë deri në pikën përfundimtare, tregun e kokainës prej 2 miliardë paund në pothuajse të gjitha qytetet kryesore dhe zonat periferike të Britanisë.

Anëtarët e bandës kriminale shqiptare filluan të mbërrinin në Ekuador rreth dhjetë vjet më parë, jo shumë kohë pasi presidenti i krahut të majtë Rafael Correa vendosi që të huajt të mund të qëndronin për gjashtë muaj pa vizë.

Në fakt, ai po hapte dyert për trafikantët shqiptarë të drogës, për të cilët ishte një mundësi shumë e mirë për t’u refuzuar. Baronët shqiptarë të drogës paraqiten si biznesmenë dhe investitorë legjitimë, duke përdorur identitete të rreme.

Ata marrin me qira shtëpi ultra të sigurta dhe të pasura, dhe kalojnë kohën e tyre në palestër dhe në restorante dhe hotele të shtrenjta. Shumë prej tyre janë vendosur në Guayaquil, i cili sipas Byrosë së Shteteve të Bashkuara për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve është një nga ‘nyjet kryesore logjistike për kokainën që shkon në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës’.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), e cila monitoron trafikun e kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës, konfirmon se “zinxhirët e furnizimit, dikur të dominuar nga disa grupe të organizuara kriminale po pësojnë ndryshime” me “organizatat nga Ballkani tani janë përfshirë gjithnjë e më shumë në trafikimin e drogës”.

Junior u përkul përpara dhe filloi të pëshpëriste me nxitim: Mbretërit Latinë në Guayaquil kontrabandojnë drogë me origjinë nga Kolumbia dhe Bolivia. Kokaina shkon përmes kontejnerëve nga Ekuadori në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Njeriu i ngarkuar për të punuar me shqiptarët është Carlos El Diablo. Njerëzit paguhen për të ndihmuar bandat kriminale. Ka punëtorë të korruptuar në një kantier privat të quajtur Contecon.

Ata që janë përgjegjës për mbylljen dhe zhbllokimin e kontejnerëve janë në shënjestër të ryshfeteve, ashtu si edhe personeli i sigurisë, përgjegjës për kamerat. Çmimi për kokainën është 28,000 dollarë për kilogram. Ndonjëherë deri në 300 kilogramë shkojnë në një kontejner.

Ndërmjetësi që siguroi intervistën me Junior më tha se po përpiqet të distancohet nga jeta e bandës. Por me kalimin e minutave, fillova të dyshoja për këtë, pasi këtu ishte një njeri i zhytur në kulturën e bandave vrastare dhe shpërblimet në para që mund të ofrojnë.

Junior vazhdoi duke treguar: Carlos punon me shqiptarët që jetojnë në Guayaquil. Ata ndonjëherë takohen në Mall del Sol dhe qendra të tjera tregtare. Ata janë përgjegjës për mallin dhe sesa kokainë do të dërgohet…

Shqiptarët japin paratë paradhënie nga dërgesat e drogës, gjysmën e vlerës. Shqiptarëve nuk u pëlqen t’i përshëndesin kur nuk janë në punë. Në një rast, një shqiptar më tha, ‘nëse më sheh ndonjëherë jashtë këtij takimi, nuk më njeh. As mos më shiko’.

Junior mund të garantojë për efikasitetin e tyre të pamëshirshëm. “Sapo përfundon biznesin me një shqiptar, nuk do të dëgjosh më prej tyre deri në transaksionin tjetër. Nëse dështon, ata vrasin”, thotë ai.

Sipas zyrtarëve të Doganës në Ekuador, të cilët po punojnë ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar, ekzistojnë katër metoda kryesore që përdoren nga trafikantët në porte. Ato përfshijnë drejtimin e një kompanie frontale, një opsion i njohur për shqiptarët, të cilin ata e krijojnë vetë ose blejnë një biznes ekzistues për të fshehur kokainën përpara transportit.

Një teknikë tjetër është manovra ‘rip on/rip off’. Trafikantët e drogës thyejnë kontejnerët e hapur të eksporteve të ligjshme, fshehin ngarkesën e tyre të paligjshme brenda dhe më pas përdorin vula të klonuara doganore për të fshehur punën e tyre. Sapo kontejnerët mbërrijnë në Evropë, kokaina hiqet nga bandat e tjera.

Nga ana tjetër, trafikantët fshehin drogën në zgavrat e anijeve me kontejnerë ose paketat e rripave në trupat e anijeve të ankoruara në porte.

Shumica e kontejnerëve që largohen nga Guayaquil mbërrijnë në Antëerp në Belgjikë ose Roterdam në Holandë, ku personelit thuhet se i ofrohen shuma të mëdha për të mbyllur një sy. Nga atje, kokaina mendohet se hyn në Britaninë e Madhe nëpërmjet porteve si Portsmouth, Tilbury, Harwich, Immingham dhe Hull.

Advertisement