Connect with us

Politike

Të enjten 24 orë mocion me debat në Kuvend për çështjen ‘McGonigal’

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla nëpërmjet një deklarate nga kryesia e Kuvendit, ka konfirmuar se në mbledhjen e bërë sot me deputetët socialistë janë bërë përgatitje për mocionin e debatit që do të mbahet në seancën e ditës së enjte në organin legjislativ. Balla tha se seanca me mocion debati pritet të zgjasë deri në 24 orë për t’u dhënë kohën e mjaftueshme të gjithë deputetëve, që të shprehin mendimet e tyre. Duke theksuar se grupi parlamentar është përgatitur për mocionin me debat që do të mbahet për çështjen ‘McGonigal’, deputeti socialist theksoi se e enjtja do të shfrytëzohet nga mazhoranca për të thënë disa të vërteta përpara shqiptarëve.

“Të gjtiha grupet parlamentare duhet të kuptojnë se foltorja në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të merret peng. Çdo deputet mund ta përdorë për të thënë mendimet e tij. Në këtë këndvështrim, për seancën e ardhshme, ditën e enjte kemi përcaktuar mbajtjen e mocionit me debat dhe besoj që të gjitha grupet parlamentare duhet të përgatiten më së miri për këtë debat. Ne po bëjmë përgatitjet tona për të shfrytëzuar këtë moment për të ndarë me opinionin publik çështje që kanë rëndësi për qytetarët.

Të mos gjendemi me kërkesa të tjera që mund të pengojnë mbajtjen e këtij mocioni me debat. Çdo deputet do ketë 10 minuta në dispozicion që është koha maksimale. Kemi të bëjmë me një bashkim të disa kërkesave. Mendoj se 24 orë janë të mjaftueshme. Duhet t’ju them se grupi ynë parlamentar mezi po e pret mocionin me debat për të diskutuar disa të vërteta me rëndësi për shqiptarët”-tha Balla.

Ndërsa u pyet për marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe ish zëvendës kryeministrit, Arben Ahmetaj, Balla tha se sa i takon çështjes për të cilën flitet mbi inceneratorët, PS ka votuar një raport të komisionit parlamentar të posaçëm të ngritur për këtë çështje.

Sa i takon kërkesës së  Partisë Demokratike për të nisur sa më parë shqyrtimin e e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, kreu i grupit parlamentar të PS-së u shpreh se kjo kërkesë do të shqyrtohet nga këshilli i legjislacionit.

Ai foli gjithashtu edhe mbi ligjin për dekoratat që u kthye nga Presidenti i Republikës me duke e cilësuar atë që një ligj që cënon të drejtën kushtetuese të Kreut të Shtetit. Balla tha se shqetësimet e presidentit do të shqyrtohen me kujdes në seancën plenare të Kuvendit.

Advertisement