Bota
Të frikësuar nga SHBA/ Ministri i Jashtëm i Iranit: Do të shkoj në Moskë për t’u takuar me Putinin!

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ndodhet në Stamboll, ku ka mbajtur një deklaratë publike lidhur me sulmet e fundit ndaj Iranit dhe zhvillimet gjeopolitike në rajon.
Gjatë fjalës së tij, Araghchi bëri të ditur se do të udhëtojë drejt Moskës këtë pasdite, ku nesër në mëngjes pritet të zhvillojë një takim zyrtar me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
“Do të shkoj në Moskë këtë pasdite dhe nesër në mëngjes do të takohem me Presidentin Putin,” tha ai, duke e përshkruar Moskën si një “mik të Iranit” dhe theksoi se dy vendet gjithmonë janë konsultuar ngushtë për çështjet strategjike.
Ai shtoi se Irani ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Rusinë edhe gjatë raundeve të fundit të negociatave me Shtetet e Bashkuara:
“Në dy ose tre muajt e fundit që kemi negociuar me SHBA-në, ne gjithmonë i kemi informuar miqtë tanë rusë rreth ofertës së fundit, rreth çdo përparimi apo mungese përparimi në bisedime.”
Ministri Araghchi deklaroi gjithashtu se konsultimet me Kremlinin do të jenë serioze dhe se bashkëpunimi me Rusinë do të vazhdojë në mënyrë të ngushtë:
“Nesër do të kem konsultime serioze me presidentin rus dhe do të vazhdojmë të punojmë me njëri-tjetrin.”
Vizita e tij vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj tri centraleve bërthamore iraniane, të cilat kanë shkaktuar reagime dhe lëvizje diplomatike në nivel global.

