Shkrime
Të gjithë ata që bëjnë sikur hutohen nga faksi me shënimin “Për Shkëlzenin”
Nga Mero Baze
Ka një përpjekje për të zhvlerësuar një nga provat më themelore që lidh Shkëlzen Berishën me historinë e Gërdecit, sa i përket lobimit të tij në emër të pushtetit të babait. Është ai faksi që niset nga zyra e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi drejt një zyre anonime gjysmë private në Ministri të Mbrojtjes, që në fakt ishte zyra ku punonte grupi i gatshëm i Shkëlzen Berishës në Ministri të Mbrojtjes.
Historia e faksit është shumë e thjeshtë. E dinë prokurorët e hershëm të çështjes Gërdeci, përfshi dhe zotin Dumani, e di Fatmir Mediu, e di Aldo Bumçi, e dinë ata që e kanë dorëzuar si provë, por tani të gjithë bëjnë sikur po e hetojnë për herë të parë.
Dëgjova sot Fatmir Mediun që përpiqej të ngatërronte historinë duke shfrytëzuar faktin që gazetarët që e pyesin sot, para 15 vitesh kanë qenë në kopsht dhe nuk e dinë atë histori.
Përshembull në një moment tha “faksi nuk ka ardhur nga Ministria e Mbrojtjes” dhe reporterët e përcollën si lajm të madh.
Nuk ka thënë njeri që ka ardhur nga Ministria e Mbrojtjes. Ka shkuar në Ministri të Mbrojtjes.
Në një moment tjeter pyeti inxhinieren e IT: “A të ka kërkuar gjë ministri ty apo kryeministri ku është ai faksi?
-Jo, i tha ajo.
U përcoll dhe ky si lajm i madh.
Nuk ka thënë njeri në fakt që ministri ka kërkuar të dijë a erdhi ai faksi me shënimin “Për Shkëlzenin” se ministrin nuk e llogariste njeri fare në atë histori. Ishte thjesht shërbetor.
Ministri nuk thërriste zyrtarët e tij për këtë çështje. Siç vërteton dhe blloku i sekretares së tij, në zyrën e tij ka hyrë 42 herë Shkëlzen Berisha për një muaj. Nuk ka nevojë të shkonin të tjerët.
Pastaj del Aldo Bumçi dhe thotë ai shënimi “Për Shkëlzenin” nuk është imi dhe është falsifikim.
Në fakt nuk ka thënë njeri që është shënim i Aldos, por është nisur nga faksi i Aldos dhe kjo është provë shkencore. As Aldon e shkretë se llogariste njeri për ministër. Falë atij faksi u kthye ministër dhe është sot tek Foltorja.
Akoma më qesharake bëhet situata kur thonë ai faksi është pa vulë, kurse rekomandimet e Ministrisë së Drejtësisë janë me vulë.
Normalisht pa vulë është, se para vulës duhej aprovimi. Është projekt dakordësimi i Ministrisë së Drejtësisë që i çohej njëherë Shkëlzenit, a ishte dakord, pastaj vulosej e firmosej dhe shkonte tek babai i Zenit për miratim.
Pastaj del Shkëlzeni dhe thotë ai faksi nuk është shkrim i Aldos, d.m.th është falsifikuar shkrimi.
Po shumë mirë atëherë, të paditet shkresa si e falsifikuar dhe të shikojmë kush e ka shkruar, meqë nuk ja përmendin dot emrin atij që e ka bërë shënimin dhe që falë atij shënimi më pas u bë deputet dhe kur menduan se mbaruan punë me Gërdecin, e hodhën në rrugë. Krahasojeni njëherë me shkrimin e drejtorit të Kodifikimit të asaj kohe në Ministri të Drejtësisë.
Pra gjithë kjo përpjekje për të krijuar konfuzion me atë dokument, buron nga fakti se ai është radiografia e skemës së funksionimit të lobimit të Shkëlzen Berishës për Gërdecin. Njerëzit e tij ishin akomoduar në një zyrë në Ministri të Mbrojtjes dhe drejtonin operacionin e shkresave. Njerëzit i çonin shkresat aty për konsultim dhe pasi u jepte ai dakordësinë, i bënin me firma e vula dhe ja çonin babait të tij.
Kaq e thjeshtë është.
Siç dëshmon para prokurorit ish- sekretarja e Aldo Bumçit, Shkëlzeni erdhi në zyrë, takoi ministrin, dhe mua më dhanë këtë faks ta përcillja tek ai numër faksi që ka shkruar sipër.
Shkëlzen Berisha ishte ideatori dhe koordinatori i gjithë procesit juridik dhe administrativ të miratimit të gjithë lejeve të nevojshme për të nisur demontimi në Gërdec. Madje gjatë këtij procesi ai është konfliktuar dhe me ministra apo drejtorë që hezitonin të firmosnin, kryesisht në Ministri të Financave dhe Kryeministri. Por në fund ja doli ta merrte atë që donte me firmën e babait të tij dhe ta hidhte pastaj në erë me papërgjegjësinë e tij, pa i hyrë një gjemb në këmbë për 15 vjet.
Tani të paktën mos na bëni për budallenj, dhe bëni sikur nuk kuptoni çfarë do ky faks me shënimin “Për Shkëlzenin” në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Kërkonte të zotin e punës!
I zoti i punës është ai që tani duhet ta kërkojë drejtësia për të shpaguar gjakun e 26 të vrarëve dhe milionave të hedhura në erë. Quhet Shkëlzen Sali Berisha!