Aktualitet
Të gjithë janë bërë delivery
TIRANË– Shpërndarja ose siç njihet rëndom në anglisht, “Delivery”, është një zanat që po pëson rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Në Shqipëri, ky shërbim u prezantua fillimisht në tregun e ushqimit, por gjatë periudhës së pandemisë u zgjerua edhe drejt produkteve të tjera.
Renis Hoxha punon si shpërndarës prej gjashtë vitesh dhe thotë se ditët e tij të punës janë tejet të ngarkuara. Megjithatë, trafiku i orëve të drekës është ajo që e sfilit më shumë. “Orët e drekës në rrugët e Tiranës janë të tmerrshme. Plus ne kemi dhe problemin e orës, për të arritur në kohë shpërndarjen e produktit dhe marrjen e porosisë së radhës,” tha Renisi për BIRN.
Me kërkesat e shumta të blerjeve në internet dhe shpërndarjes së produkteve aty ku ndodhet klienti, shpërndarësit e Tiranës përballen gjithashtu me vështirësi të shumta. Kryesisht ata ankohen për trafikun e rënduar, orët e gjata të punës dhe rreziqet e vazhdueshme në qarkullimin mes makinave.
Orët e gjata të punës dhe problemet me trafikun i konfirmon edhe shpërndarësi i një fast-foodi pranë bulevardit Zogu i Parë në Tiranë. Prej 8 vitesh në këtë profesion, ai thotë se punon 11 orë çdo ditë si shpërndarës i porosive ushqimore. “Tani janë bërë të gjithë ‘delivery’, i gjen kudo. Por e kemi shumë të vështirë punën,” tregon Bujari.
“Unë rri 11 orë majë motorit. E imagjinon dot me këtë trafik si kalon dita në motor,” ironizon ai për peripecitë që i duhet të kalojë përditë në trafikun e rënduar të kryeqytetit.
Shpeshherë, shpërndarësit ndjehen nën presionin e kohës për të dorëzuar pa vonesa porositë, pasi trafiku shpeshherë i detyron të vonohen. “Klienti nuk pyet për trafik, klienti e do në orar. Përndryshe ai kalon tek dyqani tjetër,” tha pronari i picerisë “Benvenuto” pranë Zogut të Zi.
Sipas shpërndarësve, një dërgesë me motor brenda Tiranës merr mesatarisht njëzet minuta vajtje-ardhje, por ky interval kohor jo gjithmonë u jepet nga pronarët, disa prej të cilëve kërkojnë që shpërndarja të kryhet më shpejt.
“Ne duhet ta kemi kryer porosinë dhe të jemi kthyer brenda 13 minutave, kështu na e kërkon pronari. Kjo na vendos në presion për të kapur kohën dhe për të menaxhuar me trafikun e rëndë,” i tha BIRN njëri prej shpërndarësve.
Megjithë vështirësitë, ka edhe nga ata që ndjehen mirë me profesionin që kanë zgjedhur.
“Unë nuk e kam problem, nuk kam ndonjë vështirësi. Përkundrazi, më pëlqen që t’u shërbej atyre që kanë nevojë për ilaçe,” thotë Romeo, shpërndarësi i medikamenteve të një farmacie.