Shkrime
Të hash dhe ‘kockat’ e tua/ Kur lideri 82 vjeçar nuk largohet në kohën e vet, ai s’lë trashëgimi, por shkretëtirë
Baton Haxhiu
Dje, gazeta Lapsi botoi stenogramin e një pjese të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, një dokument që në vend të zbardhjes së debatit politik, ekspozon gjuhën, nervin dhe krizën e brendshme të kësaj force.
Ka parti që bien sepse i mund kundërshtari. Ka të tjera që bien sepse humbin zgjuarsinë për të fshehur dobësitë e veta.
Partia Demokratike sot i përket kësaj kategorie të dytë. Jo sepse u përgjua, jo sepse u tradhtua, por sepse e regjistroi vetveten dhe vendosi ta nxjerrë në publik, si dëshmi të mënyrës se si flet, si akuzon dhe si e përçmon veten.
Kjo nuk është çështje stenogrami. Është çështje fjalori dhe dinjiteti. Një parti që flet me gjuhë poshtëruese për deputetët e vet, që përdor akuza kriminale si mjet debati të brendshëm, që i trajton strukturat si turmë të blerë dhe mendimin ndryshe si tradhti, nuk duket e fortë.
Duket qesharake dhe mbi të gjitha e paaftë për të udhëhequr dikë tjetër përveç inatit të vet.
Kur një forcë politike shet në publik dobësitë e saj, ajo nuk po bën transparencë.
Po bën autoshkatërrim. Dhe nga ky moment, problemi nuk është më se çfarë tha kush në atë mbledhje, por se çfarë u bë normale të thuhej.
Ky stenogram është radiografia e një force politike që po e ha veten nga brenda, jo për shkak të presionit të Edi Ramës, por për shkak të pamundësisë për të prodhuar kuptim, autoritet dhe të ardhme.
Në krye të kësaj skene qëndron një kryetar 82-vjeçar, themelues i Partisë Demokratike, i cili sot përpiqet ta mbajë karrigen jo si mjet për fitore, por si dëshmi të fundit të një biografie politike.
Problemi nuk është mosha. Problemi është se biologjia është shndërruar në politikë dhe bashkë me të po merret peng edhe partia. Kur një lider nuk largohet në kohën e vet, ai nuk lë trashëgimi, por shkretëtirë.
Dialogu i kësaj mbledhjeje është dialog frike dhe akuze, jo strategjie. Askush nuk flet për mënyrën se si rrëzohet Edi Rama.
Flitet për fajtorë të brendshëm, për firmëtarë që duhet të kërkojnë falje publike, për pazare të perceptuara dhe për tradhti të imagjinuara.
Avokati i Popullit shndërrohet në alibi për të shfryrë frustrimet e një partie që nuk di më çfarë do të bëhet.
Ervin Salianji, i vetmi që tenton të artikulojë nevojën për fokus te skandalet Rama-Balluku dhe për një vijë të qartë opozitare, linçohet politikisht. Akuza vjen e thatë dhe poshtëruese.
“Po gënjen.”
Përgjigjja është formalisht korrekte, por politikisht tronditëse.
“Të respektoj si kryetar partie, por fjalën ‘gënjen’ tërhiqeni ose dal nga mbledhja.”
Më pas etiketohet si bashkëpunëtor i Edi Ramës, si njeri i lidhur me krimin, si faktor përçarës.
Ky është mekanizmi klasik i partive që nuk durojnë konkurrencën e brendshme.
Çdo kërkesë për lidership të ri shpallet tradhti. Çdo energji e re shihet si rrezik, jo për Ramën, por për karriget ekzistuese.
Flamur Noka shfaqet si simbol i një peshe që partia nuk arrin ta mbajë më. Kufizime serioze në organizim, në diskurs dhe mbi të gjitha në besim.
Kur një parti akuzon sekretarët e saj dhe strukturat lokale si “jo demokratë”, ajo praktikisht pranon se nuk ka më parti, por vetëm një rreth të ngushtë besnikësh dhe një det armiqsh të brendshëm.
Ajo që mungon është thelbësore. Nuk ka ide. Nuk ka vizion. Nuk ka plan politik përtej protestës si ritual. Edhe protesta trajtohet me fatalizëm.
“Edhe sikur të jenë 300 veta, ne do t’u përgjigjemi.”
Kjo nuk është sfidë politike. Është dorëzim i maskuar si heroizëm. Një parti që kënaqet me 300 veta në shesh ka pranuar në heshtje se nuk synon pushtetin.
Akuzat për tubime me elementë kriminalë, për ndikime të PS-së dhe për njerëz të blerë tregojnë humbjen e esencës së komunikimit brendapartiak.
“Në Elbasan njerëzit thonë që po angazhohet Suel Çela për të mos pasur njerëz te foltorja.”
Kur gjithçka shpjegohet me komplot, askush nuk merr përgjegjësi. Kur çdo kritik është armik, partia mbetet vetëm me zhurmë dhe linçimi politik kërkon gjithmonë një emër kriminal për të mbuluar mungesën e lidershipit.
Ajo që ndodh këtu nuk është thjesht përçarje. Është çarmatosje politike. Një parti që e regjistron veten duke u sharë, duke u akuzuar për krim dhe duke e trajtuar kërkesën për lidership si tradhti, ka hequr dorë nga beteja kryesore pa e kuptuar.
Nuk e ka mposhtur Edi Rama. Është mposhtur vetë.
Të kesh gjithë mbështetjen e SPAK-ut, me dosje, akuza dhe hetime të rënda ndaj pushtetit, dhe të mos kesh asnjë ide se si luftohet politikisht për pushtet, nuk është paaftësi.
Është manual i heshtur se si punohet për mbajtjen e pushtetit dhe se si shiten idealet e demokratëve.
Në këtë realitet të përmbysur, SPAK-u funksionon më shumë si opozitë sesa si sistem drejtësie, ndërsa opozita politike endet pa rol, pa vizion dhe pa guxim.
Në politikë mund të humbasësh zgjedhje dhe të ringrihesh. Por kur humbet gjuhën, dinjitetin dhe vizionin, humb armët e fundit që të mbajnë gjallë si alternativë.
Dhe në këtë stenogram, Partia Demokratike nuk duket si opozitë që përgatitet për pushtet, por si një organizëm që po çarmatoset para se të hyjë në betejë.
Në këtë gjendje, pyetja nuk është më si rrëzohet Edi Rama. Pyetja është sa gjatë mund të qëndrojë në këmbë një parti që e lufton veten më fort se kundërshtarin.