Aktualitet
Të hash qershi është luksi i momentit, një kilogram kushton 25 mijë lekë
Qershitë në kopshtet e shqiptarëve, për ata që kanë luksin të kenë një tillë, nuk janë pjekur ende dhe nëse dikujt i ka shkuar mendja për këtë frut, duhet ta blejë në dyqan. Por edhe nëse do ta blinte, një qytetar normal shqiptar, me çmimin aktual të qershisë në treg, do të merrte nja 10 kokrra maksimumi, sa për të hequr fiksimin.
Nga dita e djeshme është shpërndarë shpejt lajmi për mbërritjen e qershive në marketet tona, por ajo që ka bërë më shumë bujë ka qenë çmimi anormal prej 23-25 mijë lekësh të vjetra. Me pak fjalë, një punëtor me rrogë minimale e ka të pamundur të hajë qershi, sepse i duhet të qëndrojë dy ditë pa ngrënë e pa pirë, që të paguajë 1 kilogramë qershi.
“Përshëndetje ‘JOQ Albania’. Ja çmimi aktual i qershisë në vend. Çfarë bëhet kështu? 25 mijë lekë (të vjetër) një kilogramë qershi. Ky është kulmi”, shkruan një qytetar në redaksinë tonë.
Padyshim, në momentin kur pranvera sapo ka nisur dhe ky frut piqet pas rreth një muaji, çmimi është i lartë, por 25 mijë lekë është tjetër nivel talljeje me shqiptarët. Imagjino ta blesh me këtë çmim dhe të të qëllojë ndonjë kokërr me krimb. Gjithsesi, nuk ndodh, sepse aktualisht vetëm politikanët dhe oligarkët kanë buxhetin financiar që të provojnë qershinë.