Connect with us

Pinknews

Të jesh peshk i madh në pellg të vogël

Siç me shumë gjasë e keni lexuar, Era Istrefi do të rikthehet në muzikë dhe sot publikon këngën e parë shqip pas disa vitesh mungesë në tregun vendas. I ftuar në “Goca & Gra”, menaxheri i saj, Hajriz Bajrami, u shpreh se Era do të rikthehet me këngë shqip dhe bashkëpunime me artistë të tjerë. Gjatë bisedës me moderatoret e emisionit, u diskutua tendenca e artistëve për të bërë karrierë ndërkombëtare dhe më pas rikthimi në tregun muzikor në Shqipëri dhe Kosovë.

Era arriti sukses ndërkombëtar pa e tentuar atë. “Bonbon” u bë kënga shqiptare më e dëgjuar në botë dhe shumë shpejt, ajo u cilësua si “vajza e Rihanna-s dhe Sia-s”. Por asnjë këngë nuk e zbehu suksesin e “Bonbon” dhe jo pak herë fansat kanë pretenduar se kompania Ultra Music nuk i dha Erës çfarë meritonte. Mungesa e këngëve shqip – me të cilat Era u identifikua dhe u pëlqye në tregun ndërkombëtar – bënë që artistja të mos arrinte suksesin që të gjithë pretendonim. Megjithatë, kurrsesi nuk ka dështuar, as Era as edhe shumë këngëtare të tjera – si Elvana Gjata, Dafina Zeqiri, Linda Halimi etj – që janë përpjekur (dhe ia kanë dalë) që të shkojnë përtej tregut vendas, pavarësisht vështirësive që tregu “i egër” ndërkombëtar ka.

Nisur nga këto, natyrshëm mund të lindë pyetja: A duhet të jesh peshk i madh në një pellg të vogël (pra këngëtarë të mëdhenj në një treg si Ballkani) apo një peshk i vogël në një pellg të madh (pra këngëtarë jo fort të njohur në arenën ndërkombëtare). Kjo pyetje vlen për çdo profesion, për çdo karrierë. Le të shohim në vijim se cila është përgjigjja.

Peshku i madh në pellg të vogël: Tregon udhëheqje, dëshirë për të qenë në krye, tregon risi dhe punë të vazhdueshme. Jo rastësisht je aty. Por duhet patur kujdes se mos nuk keni mjaftueshëm hapësirë për t’u zhvilluar.

Peshku i vogël në pellg të madh: Tregon ambicie dhe vendosmëri. Përcjell dëshirën për të qenë në krye, por duhet patur kujdes sepse rrezikon të të hanë peshkaqenët.

Ka avantazhe në të dyja rastet: Si peshk i vogël, personi ka lirinë për të qenë “fillestar”, për të punuar për karrierën, për t’u udhëhequr nga të tjerët dhe nuk përballet me shumë presion. Ndërkohë të qenit peshku i madh në një pellg të vogël është një pozicion përmbushës. Personi vendos standardet, motivon të tjerët; përballet me presionin për të dhënë maksimumin dhe kjo gjë padyshim që ndikon te rezultatet.

Pra?

Cilido që të jeni, dijeni se nuk ka rëndësi sa i madh është pellgu, por nëse po notoni drejt një qëllimi. Nuk ka të bëjë me zgjedhjen e pellgut më të vogël ose më të madh. Ka të bëjë me gjetjen e lumturisë.

Disa njerëz thonë se të jesh një peshk i madh në një pellg të vogël tregon frikë sepse qëndroni në të njëjtin vend dhe nuk kërkoni sfida të tjera. Të tjerë thonë se të jesh peshk i vogël në pellg të madh është njësoj si të jesh një gjë e vockël në një makinë gjigante. Ju e bëni punën tuaj, por jeni lehtësisht të zëvendësueshëm. Gjithashtu është normale që të rikthehesh në pellgun e vogël pasi ke tentuar të shkosh në një hapësirë më të madhe ose e anasjellta.

Thënë kjo, nuk ka rëndësi se çfarë zgjidhni. Asnjë zgjedhje nuk është dështim. Rëndësi ka t’i bëni pyetjen vetes: A jam i/e lumtur në pellgun tim?

Advertisement