Connect with us

Lifestyle

Të kesh një motër më të vogël rrit shanset për mbipeshë

Ta kesh një motër më të vogël është gjithmonë një gjë shumë e mirë.

Kur ke një motër më të vogël, ke dikë që mund të flasësh, qeshësh dhe ndash të gjitha momentet në jetë së bashku. Kur ke një motër më të vogël, e ke një mike të ngushtë në krah për gjithë jetën.

Por, çfarë nëse ne u themi se ju rrezikoni të jeni mbipeshë vetëm për faktin se ju keni lindur para motrës tuaj?

Duket e çuditshme dhe gati e pabesueshme, por lexoni më poshtë arsyet e mundshme se pse motra më e madhe mund të jetë mbipeshë vetëm për shkak që ka lindur para motrës më të vogël, transmeton Klan Kosova.

Një studim i bërë në 13,406 çifte motrash nga Suedia, të lindura mes viteve 1991 dhe 2009, ka konkluduar se fëmijët e parë e kishin indeksin e masës trupore më të madh dhe kishin më shumë gjasa që të jenë mbipeshë ose obezë.

Sipas studimit, motrat më të mëdha lindin me më pak peshë, por gjatë rriten dhe sidomos gjatë shtatzënisë, kanë indeksin e masës trupore për 2.4 % më të madh.

Gjithashtu u zbulua se motrat që kanë lindur më herët kanë 29% më shumë gjasa të jenë mbipeshë se sa motrat e tyre më të vogla. Motrat më të mëdha kanë 40% më shumë gjasa të jenë obeze, gjithashtu.

Por, cilat mund të jenë arsyet e këtyre gjetjeve alarmante? Ka disa teori.

Një teori e tillë është shkencore, ku profesori Wayne Cutfield nga Instituti Liggins në Universitetin e Auckland thotë se enët e gjakut që furnizojnë me lëndë ushqyese fetusin duket se janë më të holla në shtatzëninë e parë.

Si rezultat, ekziston një reduktim i mundshëm i furnizimit me lëndë ushqyese duke bërë që foshnja të ketë rrezik të përqendrimit më të madh të yndyrës në trup. Kjo ndikon po ashtu që insulina të punojë në mënyrë më pak efektive, më vonë gjatë jetës.

Një tjetër teori është kulturore.

Dr Maria Peña, drejtoreshë e Qendrës për Menaxhim të Peshës në Spitalin Lenox Hill në New York, vë në dukje se nënat kanë më shumë gjasa ta teprojnë duke e ushqyer fëmijën e tyre të parë se sa fëmijët e tjerë në radhë, në përpjekje për të siguruar një “peshë të shëndetshme”.

Ky zakon i ngrënies më pas mund të vazhdojë gjatë gjithë jetës së tyre.

Rivaliteti mes motrave është një tjetër teori e mundshme.

“Ndoshta fëmija i parë konkurron me fëmijën e dytë për ushqim në familje. Ndoshta më shumë para shpenzohen për fëmijën e parë”, ka thënë Gary Sacks nga Universiteti Deakin në Melbourne të Australisë duke shtuar se do të ishte interesante të shqyrtohen shkaqet e mundshme sociale.

Advertisement