Shkrime
Të mbyllet “TikTok” apo autokracia?

Nga Sonila Meço
Unë nuk përdor tik-tok.
Një adresë ma ka hapur para tre vitesh një nga djemtë e web-it në punë me idenë për të postuar video të shkurtra nga programi Task Force, por nuk kisha kohë fizike të merresha.
Për postime ngjarjesh e arsyesh personale, përpos kohës së pamjaftueshme, nuk kisha asnjë interes.
Përdor Facebook dhe Instagram.
Ime bijë adoleshente përdor snapchat dhe tik-tok. Për aq sa e kemi nën kontroll, nëpërmjet celularit të saj, nuk ka adresë në tik-tok dhe ndjek llogari jo të rrezikshme për moshën e saj. E kemi këshilluar, urdhëruar, dënuar, ndaluar në kohë të ndryshme, i kemi treguar pasojat e rënda të përdorimit të rrjeteve sociale. Me durim ia kemi dalë me sa kemi mundur të krijojmë një gardh rrethues kundrejt “sulmit” agresiv të varësisë e përmbajtjeve të rrezikshme të tik-tok-ut. Dhe rebelimit të adoleshentes sonë.
Pra në kushte normale, të një vendi ku qeverisja ka prioritet shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve e popullit të saj, me media të lira e shumllojshmëri linjash editoriale, lajmi i mbylljes së tik-tok-ut nuk do më prekte në derën e shtëpisë e profesionit tim.
Por motivet bëhen shqetësuese për pasojat mu bash për shkak të kushteve të mbylljes së tik-tok-ut me urdhër padroni pa asnjë debat publik, konsultim juridik, analizë:
– Përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme.
– Vetëm për një vit, që përkon bash me vitin zgjedhor.
– Me argumentin e rrezikut për fëmijët. Pra kur në shkolla hyn thika e armët, ku autoriteti i mësuesit është përçudnuar nga qeveria e punësimeve patronazhiste.
Po tek ky argument, vendimin e merr qeveria e nivelit arsimor më të ulët në Europë, me renditjen e fundit në testet PISA.
Po tek shëndeti mendor e fizik i fëmijëve, vendimi i mbylljes 12 mujore merret nga qeveria, që me shëndetësinë “falas” dhe mungesën e barnave e cilësinë e tyre ka shkaktuar viktima.
Po kjo filozofi qeverisëse, që ka kontrolluar aq fort çdo institucion shtetëror e shoqëror, duke prodhuar depresion e ankth gjeneralizues tek çdo familje.
-Në epokën e kapjes së plotë të mediave tradicionale, kontrollit të atyre sociale nëpërmjet ushtrive të organizuara të manovrave manipuluese të algoritmeve, censurimit dhe devijimit të mendimit të lirë, kundra pushtetit autoritar.
– Në kohën e përsosjes së makinerisë së propagandës rilindase, që buçet nga çdo altoparlant patronazhistësh e mercenarësh pushteti.
– Në periudhën më të rëndë të denigrimit të një pushteti thuajse absolut 12 vjeçar, kur rotacioni deri dje i pamundësuar edhe nëpërmjet lobimeve për shkatërrimin e kundërshtarëve po fiton terren në perceptimin publik me shprehjen e ideve, angazhimin publik e politik edhe në platformën tik-tok.
– Kur bizneset po rezistojnë me çdo mënyrë të mbijetojnë nga zhbërja e konkurencës së lirë e ku “suksesi” i tyre varet nga afërsia me pushtetin, u ngushtohet edhe më hapësira e lirë promovuese.
Motivet e vërteta të këtij vendimi deduktohen lehtësisht prej kohës, mënyrës së përzgjedhur dhe arsyeve në mendjen e një autokrati, që do të mbretërojë në vendin nga iku iket masivisht. Lojtar i skakierës me kundërshtarë të drobitur e sakatuar, nuk luan dot ndryshe, përpos se i vetëm, i pabezdisur, i pakonkuruar, i pasfidueshëm dhe me mjete për të paralizuar çdo kundërshtar në lojë a mes tifozëve.
Ky po, që është rrezik kombëtar…edhe ndërkombëtar po deshët me pasoja shumfish më të rënda se mbajtja hapur e tik-tok-ut për zhvillimin, të drejtat, liritë dhe shëndetin mendor e fizik të njerëzve. Atyre, që i do domosdoshmërisht të kontrolluar, përpos se të izoluar, nënshtruar e depersonalizuar.
Edhe rruga drejt ferrit është e shtruar me qëllime të mira…në rastin tonë as qëllimet nuk janë të tilla.
Të mbyllet tik-tok-u, apo autokracia?

