Kosova
“Të plotësojnë…”/ Takimi i Kurtit dhe Vuçiç me ‘Pesëshen e Madhe’
Pesë emisarët perëndimorë dje kanë zhvilluar vizita në Prishtinë dhe Beograd, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut që të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara.
Lajcak dhe Escobar të shoqëruar nga këshilltarët e Scholz, Macron dhe Melonit dje kanë dorëzuar një “plan të ri” për atë se si do të vazhdohet përpara drejt normalizimit, kjo pasi që sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar shumë gjëra.
Për këtë plan të ri, Lajçak paralajmëruar se do të ketë biseda intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksander Vucic.
Se do të ketë biseda intensive në vazhdim e ka konfirmuar edhe Zyra për Media e Kryeministrit Albin Kurti të cilët në një komunikatë për media kanë konfirmuar dorëzimin e “planit të ri” dhe kanë shtuar se “diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”.
“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, pas takimit me 5 emisarët, ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të ketë takime të rëndësishme në Bruksel
“Takim i vështirë me pesëshen. Besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza. Në ditët në vijim pres takime të rëndësishme në Bruksel”, ka shkruar në Instagram Vuçiç.
Miroslav Lajcak gjatë fjalës së tij pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se kryeministri i Kosovës ka përgjegjësinë për progres në normalizimin e raporteve me Serbinë. Sipas emisarit sllovak Kosova s’mund të ecë drejt BE-së nëse s’ka progres në normalizim dhe këtu ka theksuar edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa vonesa.
“Kurti ka një përgjegjësi për të bërë progres në normalizimin e relacioneve nëse Kosova do të bëjë progres drejt BE-së. Tash ne duhet të theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa ndonjë vonesë. Pa këtë, nuk do të ketë progres të Kosovës në rrugën europiane”, tha Lajçak.
Ai gjithashtu ka thënë se pret nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin obligimet e tyre në kuadër të dialogut dhe se pret një hetim të plotë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Udhëtuam me Plotner, Escobar, Bone dhe Cattaneo për diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbise. Ne theksuam se 24/9 [sulmi i Banjskës] duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm. Ne presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut”, ka shkruar Lajçak. /GazetaExpress/