Aktualitet
“Të sëmurët me kancer, të dënuar nga Zoti”/ Mjekja onkologe sulmon Vangjelin
Analisti Lorenc Vangjeli, i përhershëm në studiot televizive për të mbrojtur skandalet e Qeverisë, mbrëmjen e djeshme ka bërë një deklaratë skandaloze në studion e emisionit “Opinion”, ku po trajtohej situata në spitalin Onkologjik në QSUNT.
Pacientët me sëmundje tumoriale, Lorenc Vangjeli i ka përshkruar si “të dënuar nga Perëndia me vdekje”. Sipas tij, pavarësisht vendit ku trajtohen, qoftë në Shqipëri apo jashtë vendit, “fundi i tyre është i dhimbshëm”.
“Tema është shumë e dhimbshme, flasim për njerëz të cilët i ka dënuar Perëndia me vdekje. Që herët a vonë nëse do të kuroheshe në Tiranë, në Nju Jork në Paris, në Berlin apo kudo tjetër fundi i tyre është i dhimbshëm. Shumica e humbet këtë betejë herët a vonë. Është detyrë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare që të ndihmojë individin. Ka me mijëra dhe qindra drama familjare”, – tha Vangjeli.
Por, jo vetëm kaq. Gjatë debatit me gazetarin Osman Stafa, i cili publikoi bisedat e mjekëve të Onkologjikut, ku vihej re qartë mungesa e një sërë medikamentesh jetike, ky i fundit zbuloi se Lorenc Vangjeli e kishte marrë në telefon dhe i kishte kërkuar që të mos përmendte emra, për denoncimet e tij.
“Më keni marrë ju vetë në telefon, dhe kam një vendim gjykate dhe më keni marrë që unë të mos flas për emra të caktuar. Të mos flas pse bëj detyrën në spital. Kjo është e frikshme. E kam vendimin e gjykatës. Fjala për mua është më e rëndësishme se fytyra juaj”, – tha Osman Stafa në debatin me Lorenc Vangjelin.
Ndërkohë, në lidhje me deklaratën skandaloze të Lorenc Vangjelit se të sëmurët me kancer “janë të dënuar nga Zoti me vdekje”, ka reaguar edhe mjekja onkologe Lida Shosha.
Në një postim në rrjetet sociale, mjekja Shosha shprehet se një deklaratë e tillë nuk është vetëm faktikisht e padobishme, por edhe shumë e dëmshme psikologjikisht dhe emocionalisht.
“Në vend që t’i kujtoni dikujt me kancer, vdekshmërinë e tyre në një mënyrë kaq të ashpër, Z.Gazetar është shumë më njerëzore dhe e dhembshur, të heshtni, Nëse nuk dini çfarë të thoni, thjesht heshtni, dhe lini këtë kategori pacientesh në luftën e tyre te mbijeteses e cila mund të jetë më shëruese sesa të ofroni mizorisht të pavërteta të ftohta.” – shkruan mjekja
Lida Shosha thotë se është komunikimi i dhembshur ai që ndërton ura besimi dhe i lejon personit me tumor , të ndihet i mbështetur në çdo gjë që po kalon.
Ajo më tej thekson se pacientët pas një diagnoze të kancerit jetojnë me vite, ndonjëherë me dekada. Sipas saj, kanceri edhe mund të mposhtet, në varësi të një sërë faktorësh si lloji i kancerit, sa herët është zbuluar dhe opsionet e disponueshme të trajtimit.
“Kanceri nuk do të thotë vetëm vdekje; do të thotë jetë—një jetë që ende mund të jetohet me kuptim, dashuri dhe gëzim, pavarësisht nga prognoza.” – shkruan Lida Shosha.