Kosova
Të shpëtojmë ç’të mundemi/ LVV dhe loja për të shpëtuar nga përballja me Trump

“Pas shtatë dështimeve radhazi për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, nuk mund të flitet më për një krizë aksidentale. Kjo është një krizë e projektuar me qëllim politik të qartë: të mbahet shteti në funskion “autopilot”, të shtyhet përgjegjësia dhe të përgatitet terreni për një kalkulim të madh elektoral. Dhe eshte e qarte se në qendër të kësaj loje është Levizja Vetëvendosje, e cila nuk kërkon thjesht të mbajë kontrollin mbi institucionet ekzistuese, por të arrijë diçka më të madhe. Ajo do bashkimin e zgjedhjeve lokale me zgjedhjet e përgjithshme, për të shpëtuar kapitalin e saj politik në rënie” – Keshtu ka theksuar ne editorialin e tij analisti Baton Haxhiu
Ai shkruan se duke refuzuar çdo kompromis për emrin e Kryetarit të Kuvendit, duke imponuar me ngulm Albulena Haxhiun si kandidate të vetme, Vetëvendosja shpreson të bindë Presidenten Vjosa Osmani se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme për shkak të pamundësisë për funksionalitet dhe, në të njëjtën kohë, të përfshijë brenda tyre edhe zgjedhjet lokale të tetorit. Argumenti do të jetë racionalizimi i kostove dhe koha e krizës, por pas kësaj retorike fshihet interesi brutal i një partie që e di se i ka humbur bastionet lokale dhe që pa një valë të re zgjedhjesh qendrore nuk do t’i rikuperojë dot ato.
“Në anën tjetër, opozita, pavarësisht deklaratave të ashpra, nuk ka asnjë interes të marrë pushtetin tani. Asnjëra parti opozitare nuk dëshiron të jetë ajo që do të përballet me administratën e re amerikane të Donald Trump në çështjen e Asociacionit. Sepse të gjithë e dinë se presioni për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë më i madh se kurrë. Dhe askush nuk dëshiron të mbajë mbi vete damkën historike të dorëzimit të një pjese të sovranitetit të Kosovës” – ka deklaruar Haxhiu
Analisti I njohur shkruan se “Opozita po kalkulon me të njëjtën ftohtësi si dhe Vetëvendosja dhe mendon më mirë të qëndrojë jashtë qeverisjes, të mos marrë “fajësinë” e detyrimeve ndërkombëtare, dhe të presë momentin e duhur për të kërkuar pushtetin me çmim më të ulët politik.
“Në këtë mënyrë, përmes bllokadës, të gjitha partitë po ruajnë veten dhe po shtrijnë dorën mbi tavolinën e ardhshme të madhe: zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet lokale, dhe mbi të gjitha, zgjedhjen e Presidentit të ri, për të cilin duhen 80 vota është një objektiv që kërkon koalicione të fshehta dhe marrëveshje të parapërgatitura”…

