Kronike
Të shtëna me armë në Shijak, plagoset 45-vjeçari, në kërkim dy kushërinjtë
Një 45-vjeçar është plagosur me armë zjarri në Shijak mbrëmjen e së martës.
Mësohet se 45-vjeçari është konfliktuar me dy kushërinj dhe më pas konflikti ka degraduar në përdorimin e armës.
I plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, teksa dy kushërinjtë janë në kërkim nga policia
Njoftimi i policisë
Shijak/Informacion paraprak
Rreth orës 22:30, në lagjen Kodër Shijak, shtetasit I. F., 38 vjeç dhe D. F., 35 vjeç (kushërinj), janë konfliktuar me shtetasin D. Ç., 45 vjeç, dhe gjatë konfliktit 45-vjeçari është plagosur me armë zjarri dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë po ushtrojnë kontrolle për kapjen e dy shtetasve I. F. dhe D. F.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.
…
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me plagosjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Shijak, ku mbeti i plagosur shtetasi Denis Çumani.
Në momentin e ngjarjes, Dorian Ferra ndodhej në një lokal së bashku me vajzën, ndërsa kjo e fundit po merrte vazhdimisht mesazhe nga Denis Çumani, të cilat ajo i kishte fshirë për të shmangur përplasjen. Pas insistimit të Ferrës për të mësuar identitetin e personit që po i shkruante, ai është vënë në dijeni për situatën.
Sipas hetimeve, autorët e dyshuar i kanë vendosur armën e zjarrit fillimisht në kokë dhe më pas në brinjë, duke e qëlluar një herë dhe duke e lënë të plagosur rëndë.
I dëmtuari u transportuar fillimisht në spitalin e Durrësit dhe më pas është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, dy kushërinjtë Ferra janë larguar nga vendngjarja dhe vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.