Politike
Teatri në Surrel/ Budallai hedh një gur në lumë dhe 100 të mençur nuk e nxjerrin dot

Avokatja Adriana Kalaja deklaroi se SPAK është shndërruar në një instrument politik në duart e Edi Ramës dhe se emërimi i Altin Dumanit në krye të institucionit ishte i paracaktuar nga kryeministri dhe Ulsi Manja, me mbështetjen e ish-ambasadores amerikane Yuri Kim.
Kalaja theksoi se gjithçka ishte një “teatër i regjisuar”, ku edhe ndërkombëtarët u përdorën për të krijuar perceptimin se SPAK po lufton korrupsionin, ndërkohë që sipas saj, realiteti është i kundërt.
Ajo i kërkoi publikisht kryeprokurorit të SPAK të japë llogari për heshtjen ndaj çështjes McGonigal, duke theksuar se Partia Demokratike ka bërë kallëzime konkrete dhe kërkesa për informacion, të cilat janë injoruar në mënyrë të qëllimshme.
Pjesë nga deklarata:
Mendoj se, brenda territorit shqiptar, kryeministri fatkeqësisht ia ka arritur qëllimit. Ai i ka çuar deri në fund të gjitha nismat apo idetë që ka hedhur. Por, nga ana tjetër, ka zbatuar në mënyrë perfekte atë shprehjen popullore: “Budallai hedh një gur në lumë dhe 100 të mençur nuk e nxjerrin dot.”
Të gjitha këto polemika, pritje, përcjellje, apo sulme të supozuara që ai bën, në këndvështrimin tim janë një teatër i pastër. Të gjitha janë me regji. Redaktori i atij skenari, edhe pse mund të mos jetë më sekretar i Këshillit të Ministrave, është ende aty. Sepse kur vjen puna për të ruajtur të gjithpushtetshmin – Edi Ramën – ata janë një bllok i vetëm.
Për më tepër, ky teatër synon t’u tregojë më shumë ndërkombëtarëve sesa publikut shqiptar, se “ja, nuk është e vërtetë që unë i kam kapur të gjitha – ka ende disa që dalin kundër”. Por kjo është një lojë e ndërtuar me kujdes.
Nëse kthehemi pas në retrospektivë, në momentin kur u zgjodh Altin Dumani në krye të SPAK – ishte e qartë që ai ishte i përzgjedhur më herët. Ishte një levë e Ulsi Manjës dhe Edi Ramës, për t’u vënë në krye të institucionit. Koha jo vetëm që na dha të drejtë, por unë kam qenë ndër të parët që kam paralajmëruar se kjo ishte një skemë, një teatër, me aktoren e radhës Yuri Kim, e cila në atë kohë bënte sikur ishte kundër Ramës, ndërkohë që punonte për të vendosur në krye të SPAK pikërisht personin që donte Rama.
Ajo që ishte edhe më e rëndësishme për një popull si i yni, ishte që ky person të paraqitej si i përzgjedhur nga amerikanët, që “këtë e do SHBA-ja”.
Le të bëjmë një krahasim mes thirrjes së parë nga Sekretari Blinken – për ta dekoruar – dhe thirrjes së fundit. Atëherë kishte një ftesë zyrtare, publiku e dinte pse po shkonte, dhe mesazhi ishte se kjo ishte një “shpërblim” për sukseset e pretenduara të Dumanit. Dhe cili ishte suksesi sipas administratës së Blinken dhe Biden në Departamentin e Shtetit? Ishte fakti që Dumani kishte marrë masa kundër Sali Berishës.
Por tani, thirrja është krejt tjetër: ai është ftuar në momentet e fundit, është ftuar për të dhënë llogari. Nga informacionet që kam, ka një problem shumë të madh me reagimet që po vijnë nga disa kongresmenë për çështjen McGonigal.
Ne, si Partia Demokratike, e kemi denoncuar në vijimësi këtë skandal, që nga zoti Berisha. Vetë unë, më 21 mars, kam depozituar një kallëzim shtesë në SPAK – i cili është regjistruar. Ne, si PD, kemi të gjithë legjitimitetin për të kërkuar informacion mbi dosjen, sidomos tani që është rihapur një çështje tjetër që lidhet me McGonigal në SHBA, dhe po shohim reagime të forta nga Senati dhe Kongresi Amerikan.
Megjithatë, ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje për katër kërkesat tona. Ndaj, sot e pyes publikisht Altin Dumanin: Cila është arsyeja pse SPAK nuk kthen përgjigje për çështjen McGonigal?
RispondiInoltra |

