Politike
Tedi Blushi: Meta shembull i respektimit të ligjit, SPAK-u është farsë e Ramës dhe Dumanit

Partia e Lirisë reagoi sot për mbyljen e hetimeve nga SPAK të dosjes ndaj kreut të orcës politike Ilir Meta, që qëndron i paraburgosur prej 21 tetorit 2024, duke u shprehur se ky proces i stisur politikisht do fitohej. Me një deklaratë për mediat ditën e sotme (27 maj), doli Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, i cili hodhi akuza ndaj SPAK dhe kryeministrit Edi Rama, për arrestimin politik të Metës.
“Partia e Lirisë e bindur në pafajësinë e plotë të Presidentit Meta ndaj akuzave farsë të shkruara nga Edi Rama dhe të firmosura nga prokurori Altin Dumani, do të nisë çmontimin e tyre publik në mënyrë periodike”, tha ai.
Madje Blushi e cilësoi Metën si një qytetar shembullor që respekton ligjin dhe që për ta arrestuar pushteti dhe SPAK sajuan ‘dëshmitarë të rremë’.
“Presidenti Ilir Meta në të gjithë jetën e tij publike ka qenë shembull i respektimit të ligjit dhe Kushtetutës”, u shpreh kreu aktual i partisë, në mungesë të kryetarit.
Deputeti i ardhshëm i Kuvendit nga listat e mbyllura në Tiranë, foli edhe për analizën e rezultatit zgjedhor të dobët të 11 majit të Partisë së Lirisë, e cila nuk nxori dot nga listat e hapura të Tiranës si deputet Metën, duke u shprehur se “po vijon procesi i analizës së rezultatit dhe forcimit të strukturave”. Madje ai përfundoi duke deklariar se po punohet në koalicion dhe ka nisur puna për ‘zgjedhjet e ardhshme”.
Deklarata e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të PL, Tedi Blushi:
“Partia e Lirisë përshëndet mbylljen e hetimeve të stisura politikisht dhe të zvarritura qëllimisht ndaj Presidentit Ilir Meta të cilat kishin qëllim rrëmbimin e tij terrorist nga banda në pushtet me firmën e Altin Dumanit, si preludi i vërtetë i standardeve bjelloruse zgjedhore të 11 Majit në Shqipëri, ku qëllimi i vetëm ishte paralizimi i drejtuesve të opozitës dhe terrorizimi i mbështetësve të saj.
Partia e Lirisë e bindur në pafajësinë e plotë të Presidentit Meta ndaj akuzave farsë të shkruara nga Edi Rama dhe të firmosura nga prokurori Altin Dumani, do të nisë çmontimin e tyre publik në mënyrë periodike. Procesi gjyqësor do të provojë se jo vetëm nuk ka patur asnjë fakt penal apo shkelje ligji nga Presidenti Meta por se ka patur vetëm manipulime dhe shkelje të ligjit nga prokurorët që kanë hartuar fletë-rrufenë sorosiste kundër tij, bazuar mbi shkrime gazetash dhe dëshmitarë shkelës të provuar të ligjit dhe gënjeshtarë me pagesë nga Narkoregjimi.
Kjo do të jetë një betejë e fituar e Presidentit Meta dhe e Partisë së Lirisë dhe të gjitha mediat serioze do të shokohen me instrumentalizimin mizor që Edi Rama i ka bërë SPAK-ut në këtë rast, që nuk është i vetmi.
Ata që vonuan qëllimisht ekzekutimin e arrestimeve të Antimafias italiane për gati tre muaj, duke i lënë të lirë krerët e organizatave kriminale derisa të përmbysej vullneti i zgjedhësve në Durrës dhe në mbarë vendin dhe që lajmëruan të kërkuarit të largoheshin, janë të provuar botërisht si shërbëtorë të Edi Ramës për t’i garantuar një mandat tjetër të grabitur, në shkëmbim të një mandati të përjetshëm për veten e tyre, në mënyrë që të çimentojnë Narkoregjimin e vetëm në Europë në dëm të Shqipërisë dhe interesit kombëtar.
Kauzat e Partisë së Lirisë janë më të forta se asnjëherë ndaj presim me padurim nisjen e procesit të gjykimit, që ky proces të vërtetojë edhe njëherë se Presidenti Ilir Meta në të gjithë jetën e tij publike ka qenë shembull i respektimit të ligjit dhe Kushtetutës.
Ne do të ballafaqohemi më të gjitha pseudoakuzat e formuluara nga Edi Rama dhe McGonigali dhe të nënshkruara nga mercenarët e tij në SPAK. Ne do të ballafaqohemi me të gjithë “dëshmitarët” e prodhuar nga Edi Rama dhe që kanë patur probleme me drejtësinë dhe integritetin e tyre. Jemi të bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota dhe betime të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te noteri te Lana.
Partia e Lirisë do të dalë shumëherë më e fortë nga kjo betejë sepse kauzat e saj janë interes ekzistencial kombëtar. Partia e Lirisë po vijon procesin e analizës së rezultatit, të efektivitetit dhe forcimit të pandalshëm të strukturave të saj, si dhe të funksionimit të koalicionit me qëllim përgatitjen për konkurrimet e ardhshme zgjedhore”.

