Kosova
Televizioni zviceran: Kurti më i vendosur për të integruar veriun se sa paraardhësit e tij
Situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe ka marrë vëmendjen e radio televizionit publik zviceran “SRF”, duke i kushtuar një reportazh zhvillimeve që çuan deri te përshkallëzimi i situatës në fund të muajit maj të këtij viti dhe që aktualisht mbetet një zonë e tensionit konstant.
“Nëse flitet për bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, zakonisht flitet për konflikt. Por ndërsa situata në veri të Kosovës ka qenë e tensionuar prej muajsh, dy grupet etnike jetojnë në paqe krah për krah në pjesën tjetër të vendit”, shkruan fillimisht televizioni zviceran gjithashtu duke sjellë edhe rrëfimin e disa qytetarëve serbë që jetojnë në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – të cilët akoma refuzojnë të integrohen në sistemin shtetëror të Kosovës.
Në artikullin e televizionit zviceran thuhet ndër të tjera se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po dëshiron të integrojë pjesën veriore dhe ka shfaqur “vendosmëri” më të madhe në përpjekje për ta bërë këtë se sa paraardhësit e tij në qeverisje, ndërsa thuhet se jo të gjithë serbët janë kundër dialogut me autoritetet qendrore.
“Që kur ai mori detyrën, situata në veri është bërë gjithnjë e më kritike, derisa përshkallëzimi i përmendur erdhi në fund të majit. Që atëherë, një qetësi e tensionuar është kthyer. Sistemi i sigurisë është zgjeruar shumë. Ushtarët e KFOR-it dhe policia speciale kosovare janë të dukshme në patrullat e tyre”.