Kronike
Tenderi korruptiv dhe blenderi 2.7 milionë
4 zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës ranë ditën e djeshme në pranga, nën akuzë për abuzim me tendera.
Ai ka treguar gjithçka i ka ndodhur në drejtorinë në të cilën punon e për pasojë, Prokuroria ka regjistruar çështjen dhe ka nisur hetime intensive me metoda proaktive, duke bërë të mundur arrestimin e 4 zyrtarëve.
Magazinieri pranë UBT-së, shtetasi me iniciale A.Ç. ka kallëzuar në polici shkeljet që janë bërë në një tender me kompaninë “Gjelbërimi” sh.p.k.
Mallrat që kanë hyrë në magazinë, denoncon A.Ç. nuk janë në përputhje me procesverbalin. Magazinieri thotë se Rasha i ka kërkuar të firmosë dokumentet në mirëbesim të plotë, pasi pjesa tjetër e mallit do të vijë së shpejti. Sipas fletëhyrjes në magazinë, vlera e mallit ishte 10.5 milionë.
“Kallëzuesi në mirëbesim ka nënshkruar fletëhyrjen dhe ka deklaruar se malli për shumën 3.7 milionë lekë nuk është bërë asnjëherë hyrje në magazinë dhe nga kjo shumë, kallëzuesi, po në mirëbesim, ka nënshkruar një fletëdalje për shumën e mallit 1.958.500 lekë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për vjedhje, korrupsion dhe shpërdorim detyre me këtë tender, janë vënë në pranga dhe katër punonjës të tjerë të Universitetit Bujqësor, Tahir Ballgjini me detyrë përgjegjës i Sektorit të Bujqësisë, Rushit Suna me detyrë specialist i Sektorit të Bujqësisë dhe Ahmet Mejdani me detyrë magazinier në magazinën qendrore të UBT-së.
Vetëm pak momente pas arrestimit të këtyre personave, Prokuroria ka treguar detaje të reja që kanë dalë nga dosja hetimore.
Sipas të dhënave janë dokumentuar disa imazhe të disa prej pajisjeve të cilat janë blerë në kuadër të tenderit abuziv në Universitetin Bujqësor të Kamzës, për të cilin u arrestuan 4 punonjësit. Referuar të dhënave që vijnë nga prokuroria mësohet se ata akuzohen për abuzim me një tender që shkon në vlerën 10.5 milionë lekë.
Një nga pajisjet që është regjistruar si e blerë mbi vlerën e çmimit në treg, në dosjen e Prokurorisë rezulton të jetë një blender. Kostoja normale e kësaj pajisje elektroshtëpiake në treg do të shkonte në jo më shumë se 30.000 lek të rinj, por sipas hetimit rezulton se letrat janë “kopsitur” nga katër punonjësit e UBT-së duke e blerë për 276.000 mijë lekë të rinj.
Ndërkohë, një tjetër pajisje e blerë mbi vlerën reale të tregut është një frigorifer me ngrirje i markës “Beko”, që kushton 30.000 mijë lekë të rinj, por në UBT është blerë me shifrën rekord të 108.800 lekë të reja.
Gjithashtu në listën e shërbimeve ekstra mbi limitet sipas Prokurorisë punonjësit e UBT kanë tejkaluar çdo lloj limiti dhe norme në blerjet që kanë realizuar, duke dyfishuar pothuajse vlerën e çdo pajisje. Sipas të dhënave ditën e djeshme është marrë në pyetje në lidhje me abuzimin me tenderë dhe rektori i UBT-së Fatbardh Sallaku, emri të cilit figuron në denoncimet që çuan në pranga 4 persona.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka sqaruar në deklaratën për mediat se drejtori i Fermës Didaktike në UBT, Ali Rasha e ka përdorur shpeshherë emrin e rektorit në bisedat me personin që ka bërë kallëzimin për çështjen, si formë mbrojtje në skemën e abuzimit financiar.
“Sipas fletëhyrjes në magazinë, vlera e mallit ishte 10.5 milionë. Kallëzuesi në mirëbesim ka nënshkruar fletëhyrjen dhe ka deklaruar se malli për shumën 3.7 milionë lekë nuk është bërë asnjëherë hyrje në magazinë dhe nga kjo shumë, kallëzuesi, po në mirëbesim, ka nënshkruar një fletëdalje për shumën e mallit 1.958.500 lekë. Dalja për këtë vlerë malli, sipas kallëzuesit është bërë nën trysninë e vazhdueshme të shtetasit A.R. Kallëzuesi nga fundi i muajit Dhjetor të vitit 2021 ka tentuar shumë herë të komunikojë me A.R. dhe persona të tjerë duke përfshirë dhe Rektorin e Universitetit Bujqësor Kamëz, emrin e të cilit sipas kallëzuesit, e ka përdorur shpesh A.R., si mbrojtje për situatën e krijuar dhe për mungesën e mallit në magazinë, për hyrjen dhe daljen fiktive të mallit”, nënvizohet në deklaratën e Prokurorisë.