Connect with us

Kosova

Tensione në veri të Kosovës, plagoset efektivi

Pak pas shtimit të forcave në veri të Kosovës, një grup personash të maskuar dhe të armatosur kanë sulmuar patrullën e efektivëve. Për pasojë, ka mbetur i plagosur një polic, i cili mori dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën. Po ashtu, u dëmtua edhe një mjeti i efektivëve, i cili mori dëme të konsiderueshme materiale.

Ngjarja ndodhi gjatë natës në Mitrovicë, përkatësisht në Lagjen e Boshnjakëve, e cila së fundmi ka rënë pre e disa shpërthimeve me bomba të një pas njëshme.

Pas sulmit, ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës e cila bëri përgjegjës regjimin serb.

Në Twitter, shefi i stafit në Kabinetin e Presidencës shkruan se është kërcënim i hapur i regjimit serb.

Ky sulm ndaj policit vjen fill pas shpërthimeve për gati dy ditë resht në veri të Kosovës. Ditën e parë pati 6 shpërthime, 2 në Zubin Potok dhe 4 në Mitrovicë. Ditën e dytë pati një shpërthim me granatë dore në Mitrovicë. Shpërthimet vijnë si pasojë e zgjedhjeve të parakohshme të cilat do mbahen në veri, konkretisht më 18 dhjetor. Edhe pse SHBA pati rezerva, dje KQZ e Kosovës certifikoi listën përfundimtare të votuesve.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti sulmet në veri të vendit erdhën nga banda kriminale të cilat paguhen e dirigjohen nga Presidenti Serb, Vuçiç. Kurti paralajmëroi se në veri të vendit janë shtuar forca të shumta policore.

Më herët, i pyetur në samitin e BE në Tiranë nga gazetarët, Vuçiç bëri përgjegjës kreun e qeverisë së Kosovës.

Të forta qenë edhe reagimet e presidentes, Vjosa Osmani e cila u shpreh se ky sulm erdhi nga Serbia me qëllim destabilizimin në Ballkan.

Më tej, Osmani komentoi edhe prezencën e Serbisë në samit si dhe dialogun e Prishtinës me Beogradin. Për presidenten e Kosovës, Vuçiç ka një sjellë “dramatike” me ndërkombëtarët kjo u duk edhe në vonesën për konfirmimin e tij në pjesëmarrjen në samit, e më tepër në qëndrimet pro-ruse dhe anti-evropiane. Osmani shtoi se qëndrimi i Serbisë ndaj Federatës Ruse është tregues i qartë i klimës së Beogradit në politikën e jashtme e cila i ka antenat nga Moska.

Advertisement