Connect with us

Kosova

Tensionet Kosovë-Serbi, Osmani takim me Escobar

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, filloi të martën në Prishtinë takimet me udhëheqësit e Kosovës, në kuadër të vizitës së tij të përbashkët me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Zoti Escobar u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë mbrëmjes pritet të takohet me udhëheqësit e partive politike në opozitë ndërsa të mërkurën është paraparë që të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Dy të dërguarit pas Prishtinës do të qëndrojnë edhe në Beograd në vazhdën e përpjekjeve për të shënuar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, të cilat pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Vizita pason takimin e javës së kaluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ku nuk u shënua ndonjë përparim por me pajtimin që të vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën në një bisedë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është serioze për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale të shkaktuar siç tha ai nga “lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”, njoftoi zyra e presidentit serb.

Sipas njoftimit, presidenti serb i tha ambasadorit Hill se është e rëndësishme që Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që forcat e posaçme të Kosovës të mund të lëvizin në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët

Bisedimet në Bruksel që filluan 11 vjet më parë, synojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Një studim i publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës bën thirrje që Kosova dhe Serbia të përqendrohen në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila si rrjedhojë do të zgjidhte të gjitha çështjet teknike.

“Deri tani kemi parë që dialogu mbi çështjet teknike nuk ka sjellur rezultatet e pritura prandaj është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të diskutojnë lidhur me marrëveshjen finale. Në këtë aspekt ka një vullnet politik nga ana e palës së Kosovës që të diskutohen elementet e marrëveshjes finale por si duket ka hezitim nga pala serbe që dialogu të shkoj drejt marrëveshjes finale, kjo mund të jetë edhe për arsye që kërkesë si SHBA-ve dhe BE-së është që marrëveshja finale të ketë në qendër njohjen reciproke e prandaj kemi një hezitim nga pala serbe që të diskutohet për këtë marrëveshje”, tha Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas raportit të Institutit Demokratik, qeveria e Kosovës duhet të shtyjë përpara edhe idenë për dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, në mënyrë që të shmangen paqartësitë dhe dezinformatat sikurse në rastin e reciprocitetit me dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve.

“Po shihet që tani edhe më e nevojshme që për vendimet e fundit të qeverisë që prekin këtë komunitet të ketë më shumë komunikim dhe më shumë informim nga ana e qeverisë së Kosovës sepse pastaj ky vakumi që po ekziston mes këtij komuniteti dhe shtetit të Kosovës po mbushet me informacione të pasakta nga pala serbe po rritet ndikimi i Serbisë tek ky komunitet”, tha zonja Haxholli.

Raporti me titull “Dialogu Kosovë-Serbi, një hap para, tre mbrapa” thekson se mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara drejt marrëveshjes përfundimtare, do të vazhdojë të reflektojë në terren, duke mbajtur një situatë të paqëndrueshme që prodhon herë pas here tensione.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *