Politike
Tensionet me muxhahedinët/ Rama për median gjermane: Nëse duan luftë, duhet të…
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për median gjermane Der Spiegel tha se muxhahedinët nuk mund ta përdorin Shqipërinë për të luftuar kundër regjimit iranian.
SPIEGEL: Zoti Rama, javën e kaluar Forcat e sigurisë pranë Tiranës zhvilluan operacion në kampin e MEK-ut iranian. Pse?
Rama: MEK-un e kemi prej disa vitesh në vendin tonë. Ata janë të mirëpritur, por me kusht që mos ta përdorin Shqipërinë si një platformë për operacionet e tyre politike. Mysafirët tanë iranianë e kanë shkelur vazhdimisht këtë marrëveshje.
SPIEGEL: Kompjuterët e qeverisë në Teheran janë hakuar dhe kanë qarkulluar dokumente të ndjeshme. Rreth 100 PC dhe dhjetëra Hard disqet thuhet se janë konfiskuar tani. Mund ta konfirmoni këtë?
Rama: Shqipëria nuk ka synim të jetë në luftë me regjimin iranian. Shqipëria nuk pranon askënd që ka abuzuar me mikpritjen tonë.
Spiegel: Pse pranuat me kërkesë të presidentit amerikan Barack Obama në vitin 2016 për të pranuar mijëra muxhahedinë?
Rama: Ishte një operacion jetëshpëtues. Ne hapëm dyert tona sepse grupi, që atëherë vepronte nga Iraku u ndoq sistematikisht. Dhe nëse një mik si SHBA-ja na kërkon diçka, ne ndihemi të nderuar.
SPIEGEL: Nëse do të ishit MEK do preferonit të largoheshit?
Rama: E kuptojmë inatin kundër regjimit në vendin e tyre. Por vendi ynë të përdoret si llogore në një luftë që nuk është e jona, nuk funksionon! Sigurisht që ata kanë çdo të drejtë të luftojnë për lirinë e tyre, por për ta bërë këtë duhet të largohen nga Shqipëria.
Disa ditë më parë, me vendim të Gjykatës së Posaçme, Policia e Shtetit ushtroi kontroll në ambientet e kampit të MEK-ut, i cili nxiti reagimin e banorëve të kampit.
Reagimi i tyre nisi kur policia iu afrua serverave dhe filloi të sekuestrojë pajisjet kompjuterike. Reagimet e para kanë qenë për asgjësim të dokumenteve dhe kartave të memories, e më pas në përballje fizike me policinë për të mos lejuar marrjen e tyre.
Nga ASHRAF 3 u deklarua se gjatë sulmit policor humbi jetën një pjesëtar i komunitetit të tyre, pretendim që u hodh poshtë nga Policia e Shtetit e cila përdori vetëm spraj djegës për të neutralizuar sulmin. Akuzat e ndërsjella për ushtrim dhune çuan në nisjen e hetimeve nga prokuroria e Durrësit, e cila ka vënë nën hetim në gjendje të lirë gjashtë drejtuesit e kampit.
Kontrollet janë në kuadër të luftës kundër sulmeve kibernetike dhe terrorizmit dhe vijnë pas hetimeve që nisën për sulmet kibernetike me të cilat u përball një vit më parë vendi ynë. Ato dyshohet se qenë pasojë e sulmeve që më parë ishin kryer ndaj Iranit nga territori shqiptar.
Për të verifikuar dyshimet dhe siguruar provat e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme brenda kampit muxhahedin në Shqipëri më 20 qershor Policia e Shtetit ushtroi një kontroll të gjerë brenda kampit.