Connect with us

Kosova

Tensionet në veri/ Opozita vazhdon kritikat ndaj Kurtit

Partitë opozitare në Kosovë kanë vazhduar akuzat ndaj kryeministrit, Albin Kurti, për situatën në veri të vendit

Sipas PDK-së dhe AAK-së, Kurti me veprime të pamatura dhe eksperimentuese krijoi kaos në katër komunat veriore dhe reduktoi sovranitetin e vendit vetëm në oborret e katër objekteve komunale. Megjithatë, për de-eskalimin e situatës në veri kërkuan nga institucionet e vendit bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare, qoftë edhe për organizimin e zgjedhjeve të reja, por gjithmonë që të njëjtat të jenë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjet e vendit.

Kjo u premtua nga partia në pushtet, të cilët potencuan se zgjedhjet e reja në veri mbahen vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe jo mbi shantazhin e kërcënimet.

Gjithashtu, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, përfaqësuesit politikë të LVV-së, PDK-së dhe AAK-së, i quajtën absurde kushtet e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, të cilët kërkuan largim të tërësishëm të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe formimin e Asociacionit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se çfarëdo zgjidhje që bëhet në veri të jetë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjit të Kosovës.

Sidoqoftë, ai nuk tregoi nëse dy kryetarët e komunave veriore nga radhët e PDK-së do të japin dorëheqje për organizimin e zgjedhjeve të reja atje.

Cilindo veprim që do të ndërmarrin institucionet tona është shumë e rëndësishme që të jetë në përputhje me rendin tonë kushtetues. Nëse krijojmë precedent të rrezikshëm të cilat e tejkalojnë kushtetutshmërinë, atëherë po e cenojmë në thelb shtetësinë e vendit tonë”- tha ai, raporton KosovaPress.

Kritik u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se eksperimenti i Kurtit në veri dëmtoi Kosovën në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm. Ai tha se për këtë arsye do të vazhdojnë konsultat me dy partitë të tjera opozitare për hartimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj tha se për shkak të veprimeve të gabuara të kryeministrit Kurti, veriu i Kosovës lëvizë në vendosjen e një protektorati ndërkombëtar.

Mirëpo, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se zgjedhjet në veri mund të mbahen vetëm në kuadër të ligjit dhe kushtetutshmërisë, jo shantazhit dhe kërcënimit.

Ajo tha se Lista Serbe nuk është në pozitë të adresoi kushte, pasi e njëjta më instruksione nga Beogradi ka dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe po ashtu nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e prillit.

Për zgjidhjen e situatës në veri, gjatë mbrëmjes së sotme pritet të qëndrojnë në Kosovë, përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Advertisement