Connect with us

Kosova

Tensionet në veri/ Reagon BLINKEN: Dy kërkesat ndaj Kurtit dhe Vuçiç

Sekretarit amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar lidhur me tensionet në veri të Kosovës dhe përshkallëzimin në dhunë të protestave në dy ditët e fundit. Përmes një deklarate në faqen zyrtare, Blinken shprehet se SHBA dënon dhunën ndaj KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve. Ai u ka bërë thirrje palëve në konflikt, Kosovë-Serbi që të marrin masat dhe të ulin menjëherë tensionet, ndërsa shtoi se situata e protestave është përshkallëzuar për shkak se qeveria e Kosovës kërkon të hyjë në ndërtesat komunale. Blinken ka dy kërkesa ndaj qeverisë së Kosovës,  të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vendodhje alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Serbisë dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Deklarata e plotë:

U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë së sfiduari KFOR’in dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve. 

Advertisement