Kronike
Atentati ndaj shqiptarëve në Greqi, lokali pjesë e dosjes së përgjimeve Sky ECC
Lokali “O gyros tou asyrmatou” në Athinë ku në orët e para të mëngjesit të sotëm u plagosën babë e bir shqiptarë me mbiemër Sinovarfaj, rezulton pjesë e dosjes “Sky ECC” në Greqi, për të cilën në dhjetor 2024 u arrestuan 24 persona, mes të cilëve 14 shqiptarë, si pjesë e disa grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës, por edhe në ngjarje të rënda kriminale.
Salati, i cili njihet me pseudonimet “Sal”, “Salah” dhe “Toni”, rezulton përdorues i “Sky ECC” por edhe “Encrochat”. Pjesë e grupit të Salatit ishte edhe Aleksandër Sadikaj nga Memaliaj, i ekzekutuar në Tiranë në vitin 2022 pas shpërthimit të eksplozivit në makinë.
Grupi i tyre rezulton i përfshirë në trafikun e marijuanës dhe kokainës nga Spanja dhe Shqipëria për në Greqi. Salati në shkurt 2016 rezulton të jetë ndaluar nga policia shqiptare në pikën kufitare të Kakavijës mes 148 mijë euro cash, të cilat po tentonte t’i fuste në Shqipëri, por për këtë është ndjekur në gjendje të lirë.
Nga viti 2018 deri në vitin 2020, ai ka qenë i burgosur në Koridhalo si kreu i një grupi kriminal që shiste lëndë narkotike në Athinë dhe në Mykonos. Pavarësisht kësaj, ai vazhdonte kontrollin e trafikut dhe shpërndarjes së drogës nga burgu, përmes platformave të kriptuara.
Në mesazhet e shkëmbyera nga Andon Salati, gjatë kohës që ishte i burgosur, me Fotio Mplantoumi-Sioho, i burgosur gjithashtu në burgjet franceze, ai përshkruan situatën brenda burgut dhe në veçanti për komoditetet që ka si celulari, televizori inteligjent, router për internet.
Ai i referohet marrëdhënieve të mira që ka me punonjësit e burgut, se me ndihmën e gardianëve vendos celularët në qendrën e paraburgimit, njeh një kryegardian dhe një gardian që kur punonin në Mykonos dhe se disa mbrëmje gjatë turnit të tij, gardiani përdor kokainë “i merr disa hundë”.
Ai tregon se gjendja në burg ishte më e mirë para 2 vitesh, pasi atëherë të burgosurit pinin pije deri në orët e vona të natës dhe disa kishin edhe shoqërinë e femrave , të cilat i fuste një “kryegardian”.
Andon Salati dhe Denis Grabocka rezultojnë pronarë të fshehtë të një kompanie që jep makina me qira në Athinë, me pronarë të riregjistruar familjarë të tyre. Konkretisht kompania “CARENT” ka në pronësi 50 automjete dhe 18 motorrë, disa prej të cilave janë përdorur nga anëtarë të organizatës ose janë sekuestruar në ngjarje të ndryshme.
Kompania u jepte me qira automjete anëtarëve të organizatës, me qëllim që ata të lëviznin nën hijen e një mbulesë ligjore, duke shmangur identifikimin nga autoritetet e drejtuesve të vërtetë. /LAPSI.al