Connect with us

Aktualitet

Tentoi ‘ëndrrën amerikane’, 32-vjeçaja përfundon në gjyq

Ëndrra amerikane çoi në pranga 32-vjeçaren Alma Dashi, e cila u kallëzua nga Konsullata e Ambasadës në Tiranë, për dyshimet se kishte falsifikuar diplomën e pjekurisë që ka dorëzuar pas fitimit të lotarisë. E reja do të hetohet në “arrest shtëpie”, pas një vendimi të marrë nga Gjykata e Tiranës këtë të enjte.

Avokati Detar Hysi mohoi gjatë seancës akuzat e ngritura dhe kërkoi lirimin e saj, ndërkohë Prokuroria paraqiti materialet e dorëzuara nga Konsullata, duke kërkuar qëndrimin në burg.

Sipas materialit hetimor, punonjësit e Konsullatës kanë ngritur dyshime për falsifikim pasi diploma kishte mungesë të elementëve të sigurisë që lidhen me numrin serial me 6 shifra, si dhe përkrenarja e emblemës së Skënderbeut paraqitej në krahun e gabuar.

32-vjeçarja u ndalua me urdhër të prokurorit disa orë pasi kishte lënë ambientet e ambasadës. Ndërkohë  ky nuk është rasti i parë kur punonjësit e Konsullatës konstatojnë falsifikim të dokumenteve nga personat që aplikojnë për lotarinë amerikane.

Advertisement