Kronike
Tentoi të qëllonte me armë pronarin e lokalit pas një sherri, arrestohet 54 vjeçari

Pas marrjes së njoftimit nga Salla Operative për një konflikt në lagjen “Manush Alimani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, organizuan punën dhe menjëherë kanë ndërhyrë me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosje”, i shtetasit V. H., 54 vjeç, banues në Shkodër.
54-vjeçari, pas një konflikti me pronarin e lokalit shtetasin G. H., 36 vjeç, ishte larguar duke u rikthyer në lokal ku kishte me vete një armë zjarri kallashnikov. Në momentin që është rikthyer në lokal kanë mbërritur dhe shërbimet e Policisë të cilët kanë ndërhyrë për të neutralizuar 54 vjeçarin që mbante armën e zjarrit në dorë.
54-vjeçari në pamundësi për tu larguar ka hedhur armën në tokë. Shërbimet e Policisë e kanë prangosur menjëherë dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit dhe municionin luftarak.
Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lire shtetasi G. H., 36 vjeç, banues në Shkodër për veprat penale “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

