Connect with us

Kronike

Tentuan të dilnin nga Shqipëria me armë dhe kanabis, arrestohen 2 francezët

Tentuan të dilnin nga Shqipëria, me një automjet kamper, ku kishin fshehur një armë sportive dhe një sasi cannabisi, vihen në pranga 2 shtetas francezë.

Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga strukturat hetimore dhe ato operacionale të Policisë Kufitare të portit të Durrësit, për goditjen e tentativave për të trafikuar armë dhe/ose lëndë narkotike, drejt shteteve të BE-së, u organizua operacioni policor i koduar “Exit”.

Nga kontrollet me përzgjedhje të kryera në kuadër të këtij operacioni, në dalje të Republikës së Shqipërisë, u konstatua se në automjetin kamper, me drejtues shtetasin francez S. M. dhe ku ishte pasagjere shtetasja franceze C. M., ishte përshtatur një hapësirë, për fshehjen e një arme sportive dhe të një sasie lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit nga Franca, S. M., 25 vjeç dhe C. M., 28 vjeçe, të dy banues në Francë. Gjithashtu, u sekuestruan si provë materiale, arma sportive dhe sasia e lëndës narkotike cannabis sativa.

 

 

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Advertisement