Bota
“Thirreni Baba”/ Darka mbretërore me ton, mish e tortë, si u gjykua sjellja e Trump në Samitin e NATO-s

Në Hagë u zhvillua samiti i NATO-s. Darka filloi në pallatin Huis Den Bosch me çiftin mbretëror holandez si pritës. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u shfaq sërish me një kostum në nuanca blu por më të çelëta. Trump u prit me nderime mbretërore nga mbreti dhe mbretëresha e Holandës dhe nga Mark Rutte, sekretari i përgjithshëm i aleancës, i quajtur edhe ‘përshpëritësi i Trump-it’.
Një deklaratë përfundimtare e samitit, me një gjest të qartë ndaj Uashingtonit, pohonte se anëtarët më në fund do të angazhoheshin të shpenzonin 5% të PBB-së për mbrojtjen – një kërkesë e hershme e Trump-it. Por çfarë ndodhi para arritjes së marrëveshjes, kur të gjithë prisnin përplasje?
The Times në një artikull të publikuar së fusnmi ka dhënë detaje nga prapaskenat e samitit nga udhëtimi i Trump drejt Holandës deri tek lehtësimi për udhëheqësit evropianë.
Nuk kishte dyshim: mbijetesa e aleancës 75-vjeçare ishte në rrezik. Por me Iranin që qëllonte me raketa mbi bazat amerikane dhe Evropën sërish të përçarë për shpenzimet e mbrojtjes, a do të paraqitej presidenti i Shteteve të Bashkuara?
Por në fund të javës, në NATO po e quanin Donald Trump-in “baba”.
Përfundimi i një samiti që shumëkush kishte frikë se do të përfundonte me përplasje dhe fyerje, në fakt solli lehtësim për udhëheqësit evropianë. “Nuk doli jashtë kontrollit,” tha Dick Schoof, kryeministri i Holandës, duke përshkruar një “përzierje lehtësimi dhe gëzimi”.
Një diplomat shkoi edhe më tej: “Ia dolëm të kalonim nëpër një fushë me mina. Kishte aq shumë që mund të shkonte keq, duke filluar me faktin nëse do të vinte apo jo. Nuk pati përplasje, marrëveshja u arrit dhe atmosfera ishte e mirë – edhe pse ndoshta paksa e ekzagjeruar për shijet më të ndjeshme.”
Temat e ndarjes ishin të shumta – sidomos ngurrimi i Evropës për të mbështetur bombardimet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, veprime që presidenti francez Macron dhe të tjerë i cilësuan si të paligjshme. Pastaj kishte edhe çështje më afër shtëpisë: spanjollët, nën udhëheqjen e kryeministrit të dobësuar Pedro Sánchez, po ngulmonin për të mos rritur shpenzimet për mbrojtjen. Një deklaratë përfundimtare e samitit, me një gjest të qartë ndaj Uashingtonit, pohonte se anëtarët më në fund do të angazhoheshin të shpenzonin 5% të PBB-së për mbrojtjen – një kërkesë e hershme e Trump-it.
Sánchez, i tronditur nga një skandal korrupsioni në vend dhe vazhdimisht në titujt e mediave për arsye negative, dukej i vendosur të tregonte sovranitetin spanjoll duke i rezistuar Trump-it. Mund të dukej mirë për opinionin publik spanjoll, por për NATO-n ishte problematike.
Ankthi u shtua ndërkohë që armëpushimi në Lindjen e Mesme rrezikonte të shpërbëhej. Pastaj ndodhi edhe një rrjedhje informacioni kur një kanal televiziv raportoi se Trump do të qëndronte gjatë natës si mysafir i mbretit holandez. Nuk ishte si skandali i Watergate-it, por çdo siklet duhej shmangur.
“A do të vijë? Derisa ta shoh në tapetin e kuq, nuk e besoj,” tha një zyrtar. “Jam vërtet i tmerruar.”
Mark Rutte, sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe shpesh i quajtur “fluisteraar” apo “përshpëritësi i Trump-it”, nuk po linte asgjë në dorë të rastësisë. “Urime dhe faleminderit për veprimin tuaj vendimtar në Iran,” i shkroi Trump-it para se ky të hipte në Air Force One. “Tani po fluturoni drejt një tjetër suksesi të madh në Hagë,” shtoi ai, ndërkohë që vetë po përballej me kritika për faktin se praktikisht po i jepte mbështetjen e NATO-s veprimeve të Trump-it në Lindjen e Mesme. Mesazhi përfundonte me një premtim: “Evropa do të paguajë SHUMË, ashtu siç duhet, dhe ky do të jetë suksesi juaj!”
Trump po vinte, por ishte në humor të keq. “Ata nuk dinë çfarë dreqin po bëjnë,” tha ai për Izraelin dhe Iranin kur u nis nga Shtëpia e Bardhë për në Hagë. Dhe u bë edhe më keq: gjatë fluturimit transatlantik, ai vuri në dyshim nëse SHBA do të ndërhynte automatikisht për të ndihmuar aleatët evropianë si Spanja, në kuadër të nenit 5 të NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellë. “Varet nga përkufizimi juaj,” tha ai.
Por holandezët, ashtu si kombet e tjera që ende kanë familje mbretërore, kishin një “armë sekrete”. Pas zbritjes nga avioni presidencial me kapele të bardhë “MAGA”, Trump u dërgua menjëherë për t’u pritur me ceremoni të plota nga mbreti Willem-Alexander. Në sallën e portokalltë të pallatit Huis ten Bosch u shtrua një darkë me ton të pjekur, mish viçi dhe tortë çokollate.
Trump u ul mes mbretit dhe Giorgia Meloni-t, kryeministres italiane populiste dhe një nga të paktat admiruese evropiane të presidentit. Ai po e shijonte momentin. Kishte një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit për të festuar. “Kisha një pamje të mirë,” tha Schoof. “Presidenti ishte shumë i gjallë në bisedë, atmosfera ishte e çlirët.”
Një atmosferë edhe më e qetë e priste Trump-in aty ku do kalonte natën.
Ai kishte marrë një ftesë të paprecedentë nga çifti mbretëror holandez për të kaluar natën në pallatin e tyre të shekullit të 17-të, të vendosur mes pyjeve të gjelbërta në Hagë.
Të nesërmen në mëngjes, Trump pati mëngjes me mbretin Willem-Alexander dhe mbretëreshën Maxima, të cilët i përshkroi si “njerëz të bukur dhe spektakolarë”. I ftuar të fliste me superlativa për Trump-in, mbreti holandez u përgjigj shkurt: “Çfarë ndodh në pallat, mbetet në pallat.”
Pastaj erdhi momenti që për shumë njerëz do të përkufizonte vizitën e Trump-it në Holandë. Duke folur krah për krah me Rutte-n, Trump po diskutonte se si fuqitë e Lindjes së Mesme po silleshin “si dy fëmijë në oborrin e shkollës”. “Babi ndonjëherë duhet të përdorë gjuhë të ashpër,” ndërhyri Rutte, duke iu referuar përdorimit të fjalës “fuck” nga Trump më parë. Trump u entuziazmua dhe kamerat e filmuan sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio duke tundur kokën me mosbesim dhe duke qeshur.
Paprítur, Trump u bë shumë i gjallë dhe atmosfera u përmirësua. Sánchez hoqi dorë nga kundërshtimet dhe vendosi të mos përmendë objektivat e shpenzimeve, por të flasë për kontributin e rëndësishëm ushtarak të Spanjës në aleancë, duke premtuar përmbushjen e objektivave operacionale. Shumë udhëheqës, përfshirë edhe Sir Keir Starmer, theksuan blerjet ushtarake nga SHBA, si avionët luftarakë F-35 dhe sistemet mbrojtëse Patriot.
Rutte, megjithatë, do të përballej me kritika për qasjen e tij nënshtruese ndaj Trump-it. Ai pranoi se komenti i tij ishte “pak çështje shijeje”. Por presidenti nuk kishte ndonjë ankesë. “Ai më pëlqen,” tha Trump për holandezin. “Dhe nëse nuk më pëlqen, do kthehem dhe do e godas fort. Ai e tha me shumë dashuri. Ti je babi im.” Për shumë njerëz që punonin pas skenës, kjo ishte tepër. “Na thanë që Rutte ishte një ‘përshpëritës i Trump-it’, por kjo është e pahijshme,” tha një diplomat.
Schoof, si organizator i samitit, e përshkroi mbledhjen e NATO-s si “historike”, por ishte më pak i sigurt se si historia do ta gjykojë këtë lavdërim të tepruar. “Nuk e di,” pranoi ai. “Për ne, samiti duhej të ishte i suksesshëm. Bën gjithçka për t’i qetësuar udhëheqësit. Disa më shumë se të tjerët.”
Nuk ishte vetëm fakti që evropianët po paguanin më shumë që e gëzonte Trump-in. Edhe nofka e re e gëzonte. Shtëpia e Bardhë publikoi një video ku presidenti përshëndet liderët e ndryshëm të aleancës, e shoqëruar me një këngë të Usher-it, ku ai këndon: “so all my ladies, say, ‘Hey, hey, hey, daddy’.”
Pas këngës, doli në shitje edhe “TRUMP DADDY shirt” zyrtar – një bluzë që shitet nga Komiteti Kombëtar i Trump-it, një mjet për mbledhjen e fondeve, ku 77% e të ardhurave shkojnë për fushatën “Never Surrender” të Trump-it, që përdoret për shpenzime ligjore, konsulenca, udhëtime, staf dhe për mbështetjen e kandidatëve.
Me një donacion minimal prej 35 dollarësh, mund të blesh një bluzë portokalli me fytyrën e Trump-it dhe fjalën e vetme “DADDY” me shkronja të mëdha të zeza. Ngjyra e bluzës ndoshta është zgjedhur për të nderuar vendin e origjinës së Rutte-s.
“Kur Biden ishte president, na TALLNIN në skenën botërore,” shkroi Trump në një email për mbështetësit. “Por falë presidentit tuaj të preferuar (MUA!) na respektojnë sërish. Pak më parë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, më quajti DADDY në skenën botërore. Sa bukur! Kështu që për një kohë të kufizuar, dua që JU të keni bluzën zyrtare TRUMP DADDY!”

