Politike
Thyerja Kurti-Osmani/ Edit Harxhi: Destabilizuesi Edi Rama është shkaktari i përçarjes
Skena politike në Kosovë është përfshirë nga një ngërç i thellë, i cili ka vënë përballë dy figurat kryesore të vendit, kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Përplasja, e cila kulmoi me propozimin e fundit të Osmanit për ndryshime kushtetuese që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, sipas disave ka rrënjë më të thella dhe përfshin aktorë përtej kufijve të Kosovës, me akuza që drejtohen edhe ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Edit Harxhi, eksperte për çështjet ndërkombëtare, shprehet se, situata aktuale nuk është thjesht një mosmarrëveshje procedurale, por një përplasje mes dy figurave të forta që dikur ishin aleate. Në këtë kontekst, pretendohet se kryeministri Edi Rama ka luajtur një rol kyç në këtë përçarje.
Harxhi e argumentoi kete me afërsinë e shtuar të Ramës me presidenten Osmani gjatë vitit të fundit, e shoqëruar me një shkëputje të dukshme nga Albin Kurti, që sipas saj ka qenë një faktor destabilizues. Kjo ndërhyrje cilësohet si një formë “paternalizmi” ndaj politikës së Kosovës, një qasje të cilës Kurti i ka rezistuar vazhdimisht.
Përçarja ka ngritur pyetje edhe për implikimet ndërkombëtare. Ndërsa Vjosa Osmani ka arritur të forcojë profilin e saj diplomatik dhe të risjellë Kosovën në tryezat ndërkombëtare, duke kultivuar marrëdhënie të mira me aleatët perëndimorë, ekziston perceptimi se kjo mund të ketë shkaktuar një lloj shqetësimi te kampi i Kurtit.