Bota
Ti nuk ke pse të vish/ Putin nuk e dp trumpin në tryezë, do takim kokë më kokë me Zelenskyn

Kur Presidenti amerikan Donald Trump kreu telefonatën me Presidentin rus Vladimir Putin për t’i sugjeruar të bashkohej me një takim midis Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky-t dhe udhëheqësit rus, Putin është përgjigjur: “Nuk ke pse të vish. Dua të jetë kokë më kokë”.
Kështu raporton Politico teksa dalin detaje nga takimi i djeshëm mes Trump, Zelensky-t dhe liderëve evropianë në Shtëpinë e Bardhë.
Putin, ka sugjeruar mbajtjen e një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Moskë, gjatë një bisede telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, raporton AFP.
Propozimi vjen në kuadër të diskutimeve mbi mundësinë e zhvillimit të një formati trepalësh mes Washingtonit, Moskës dhe Kievit, pas sinjaleve të fundit të Trump në mbështetje të një nisme të tillë.
Por një këshilltar i Zelensky i ka thënë BBC News se Ukraina “e hodhi poshtë menjëherë” sugjerimin e Vladimir Putinit që të dy udhëheqësit të takohen në Moskë.
Trump ka kërkuar nga Zelenksy, që ky i fundit të jetë fleksibël në negociata me Moskën.
Gjatë një interviste telefonike me Fox News, Trump u pyet mbi përditësime rreth një takimi trepalësh me Zelenskyn dhe Putinin. Ai thotë se e telefonoi Putinin dje dhe shpreson që sjellja e udhëheqësit rus “do të jetë e mirë”.
Nëse jo, do të jetë një “situatë e vështirë”, shton Trump.
Trump thotë se shpreson që Zelensky “të bëjë atë që duhet të bëjë”, por thekson se duhet të jetë “fleksibël” edhe në negociata.
Trump shton se nuk do të thoshte që Zelensky dhe Putin do të jenë ndonjëherë “miqtë më të mirë”, por vëren se të dy udhëheqësit janë ata që “duhet të marrin vendime”.
Ai pyetet po ashtu se si mund të duken garancitë e sigurisë për Ukrainën, për të cilën ai thotë se Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë ndër ato që “duan të kenë” trupa në terren, duke shtuar “Nuk mendoj se do të jetë problem”.
I pyetur nëse SHBA-të do të kenë trupa në terren si pjesë e një garancie sigurie për Ukrainën, Trump është kategorik kundër dhe nuk do të lejojë që kjo të ndodhë.
“Ju keni garancinë time dhe unë jam president”, thotë ai. “Unë thjesht po përpiqem të ndaloj vrasjen e njerëzve”.
Trump pyetet se si shkuan bisedimet me udhëheqësit botërorë në Shtëpinë e Bardhë dje. Ai i quan ata “njerëz të mirë” që “duan t’i japin fund luftës”.
Ai thotë se konflikti në Ukrainë është më afër tyre sepse “kemi një oqean që na ndan”.
“Pra, është një gjë e ndryshme për ta. Kur bëhet fjalë për sigurinë, ata janë të gatshëm të dërgojnë njerëz në tokë”, shton ai.
Presidenti thotë se SHBA-të janë të gatshme të ndihmojnë me aspekte të sigurisë, për shembull, përmes mbështetjes ajrore, por thekson se anëtarësimi në NATO nuk mund të jetë forma kryesore e sigurisë në të cilën mbështetet Ukraina.

