Connect with us

Kosova

Topa dhe avionë mbi Serbi/ Vuçiç kundër deklaratës së Ramës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, se Shqipëria do të qëndrojë në krah të Kosovës nëse dikush e sulmon. Aiështë shprehur se nga Perëndimi ka patur vetëm heshtje të madhe, gjë e cila sipas tij, pasqyron gjithë dyfytyrësinë e Evropës ndaj Serbisë.

“Nga një shtet fqinj u dëgjua se, nëse dikush sulmon Kosovën dhe nuk e di kush do ta sulmojë, Shqipëria nuk do ta lejojë dhe do të jetë krah me ta. Po të kisha thënë unë diçka të tillë? Dhe, pas një deklarate të tillë kaq të  tmerrshme, ka patur vetëm heshtje të madhe. Deklarata u bë me zë të lartë dhe ishte shumë e pakëndshme, u dëgjua nga të gjithë por askush nuk foli asnjë fjalë për të” – theksoi presidenti serb

“Nëse dikush nga Serbia do të kishte thënë diçka të ngjashme, do kishte bubullima mallkimesh, fyerjesh, fushata të pista nga e gjithë bota, madje edhe “topa e avionë”, me qëllim që serbët  ta mbyllnin gojën një herë e përgjithmonë”  – potencoi Vuçiç duke shtuar se Serbia nuk ka nevojë dhe nuk do të sulmojë askënd.

“Ne kemi nevojë për Evropën, për hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e saj. Bëjmë edhe pa të dhe gjithmonë do themi se jemi serb, se kemi zemër e shpirt dhe do të bëjmë politikën tonë. Nuk do të heqim dorë nga bashkëpunimi me Rusinë, Kinën dhe askënd tjetër” – shtoi propagandën e tij presidenti Vuçiç

Kujtojmë se më 14 shkurt, Kryeministri Rama tha se Shqipëria do ta mbronte Kosovën nëse shtereshin opsionet diplomatike dhe përdoreshin armët, duke shtuar se lutet që një situatë e tillë të mos ndodhte.

I pyetur se si do të reagojë Shqipëria nëse sulmohet Kosova, Rama u përgjigj se Kosova nuk është e vetme.

“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe nuk është një ent gjeografik që ka marrëdhënie të veçanta me Kosovën dhe çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër, Kosova nuk është e vetme dhe ka aleatë strategjikë”  – deklaroi Rama dhe theksoi se liderët në Kosovë dhe Shqipëri duhet të mendojnë për të ardhmen në mënyrë që edhe Kosova edhe Shqipëria të bëhen më të respektueshme ndërkombëtarisht.

“Është e rëndësishme të mos humbasim fokusin për të qenë më mirë se kurrë, por gjithçka që është arritur mund të kthehet përmbys nëse e marrim si të mirëqenë dhe nuk i trajtojmë problemet përmes dialogut, në mënyrë konstruktive, me një ndjenjë të së ardhmes”  – potencoi kryeministri shqiptar

Advertisement