Kosova
Tortë e HIDHUR për Daçiç: Ata mund të marrin çfarëdo vendimi për Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi sot, duke komentuar vendimin e Komisionit Politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, se ai shtron pyetjen se pse dikush pranohet urgjentisht në Këshillin e Evropës, kur të gjithë e dinë dhe e pranojnë se Kosova për 11 vite ka qenë e pamundur të përmbushë obligimin e saj ndërkombëtar, që është formimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.
“Pse tani, në këtë moment kur Albin Kurti po ndalon përdorimin e dinarit dhe po shkakton katastrofë humanitare. A është ky një shpërblim për atë, teksa në fakt meriton denim?” – deklaroi Daçiç
Ai shpjegoi gjithashtu se Komisioni Politik i Asamblesë Parlamentare është i përbërë nga deputetë dhe se ky vendim do t’u prezantohet anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 18 prill.
“Vendimin përfundimtar e merr Komiteti i Ministrave, ku seanca pritet të jetë në maj. Ata kanë një shumicë prej dy të tretash sepse në Evropë situata jonë përsa i përket Kosovës është më e keqja e mundshme, pasi shumica e vendeve e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nën ndikimin e Perëndimit”- tha ministri i Jashtëm serb, duke theksuar se nuk e dinte se cilat fjalë mund të përdorte, pa u treguar i pasjellshëm, për të shpjeguar këtë situatë.
“Në thelb, ata mund të marrin çfarëdo vendimi që duan. Ata mund të bëjnë si të duan, por ne nuk e pranojmë. Ajo që ata vendosin nuk ka asnjë rëndësi për ne. Kuvendi ynë Kombëtar e shpalli të pavlefshëm aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës” – potencoi Daçiç, duke shtuar: –
“Kjo është e turpshme, nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ky është fundi dhe kolapsi i së drejtës ndërkombëtare”
Nga ana tjetër, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, ka reaguar pasi Kosova ka kaluar me sukses hapin e parë në synimin për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës.
“Në Paris u miratua me shumicë mbresëlënëse votash opinion i Dora Bakojanis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë kusht shtesë. Të gjitha propozimet për vendosjen e parakushteve të ndryshme janë refuzuar.
Ajo ka thënë se tani është e hapur rruga për votim në Asamblenë Parlamentare, në mesin e muajit prill.
Suksesi, tha Gërvalla “është rezultat jo vetëm i punës së palodhur të institucioneve të Republikës sonë dhe mbështjetjes kolosale të miqve të shumtë të Kosovës”.
Kryediplomatja ka shkruar se “Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës” dhe se “opinioni kërkon largimin e fusnotës, që nga viti 2008 është përdorur gjithmonë kur është përmendur Kosova në KiE.