Connect with us

Kosova

U hapi derën e lokalit, gazetarët shqiptarë e serbë mbrojnë pronarin

Gazetarë shqiptarë dhe serbë i dolën në mbrojtje Mlladen Peroviqit nga Zveçani, i cili gjatë trazirave në këtë qytet ua hapi derën e kafenesë së tij, por që më vonë u etiketua si “tradhtar”.

“Unë nuk e di se çfarë kam bërë për të qenë tradhtar dhe për t’u vënë në shënjestër”, tha të mërkurën Peroviq për mediat në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Zveçani, prej ditësh, është në qendër të tensioneve, të cilat kulmuan më 29 maj, kur grupe protestuesish serbë u përplasën me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Atë ditë, Peroviq, me kombësi serbe, hapi derën e kafenesë së tij për gazetarët shqiptarë dhe serbë.

AGK raporton për disa sulme ndaj gazetarëve në veri

Për këtë veprim, Peroviq u quajt tradhtar në kanalin “Sllovenski medved” në Telegram, më 30 maj.

Në atë postim kishte edhe një term nënçmues për shqiptarët në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta konfirmojë se kush qëndron prapa këtij kanali.

“Sllovenski medved” është një prej shumë kanaleve në Telegram që publikon përmbajtje në gjuhën serbe dhe është pro-rus. Postimet aty tregojnë mbështetje për pushtimin rus të Ukrainës dhe kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kërcënimet drejtuar Peroviqit u dënuan nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë.

Grupe serbësh lokalë u përleshën më 29 maj me ushtarët e KFOR-it në Zveçan, gjatë një proteste kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Dhjetëra njerëz, përfshirë 30 ushtarë të KFOR-it, u plagosën.

*Video me zhvillimet e datës 29 maj në veri në dy minuta

Advertisement