Bota
Tragjedi familjare/ 57-vjeçari qëllon për vdekje dhëndrin dhe vajzën e tij 26-vjeçare

Një tragjedi ndodhi mëngjesin e së premtes në jug të Polonisë, kur një 31-vjeçar dhe një 26-vjeçare mbetën të vdekur nga të shtënat e një 57-vjeçari, brenda një shtëpie në fshatin Stara Uies, në rajonin e Limanovës.
Nga të shtënat u plagos rëndë edhe një grua tjetër që ndodhej në vendngjarje, ndërsa është në zhvillim një operacion policor për kapjen e autorit, i cili, sipas informacioneve të policisë, është arratisur në një pyll fqinj.
Burime policore të cituara nga Polsat bëjnë me dije se bëhet fjalë për një tragjedi familjare, pasi viktimat ishin dhëndri dhe vajza e autorit. Në shtëpi ndodhej edhe një foshnjë njëvjeçare, e cila fatmirësisht nuk është lënduar. Një zëdhënës i policisë u ka kërkuar banorëve të zonës të qëndrojnë në shtëpi, pasi i dyshuari është “i armatosur, psikologjikisht i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm.”

