Rajon
Tragjedia me 59 viktima/ Arrestohet gruaja dhe vajza e pronarit të diskotekës “Puls” në Koçan

Detaje të reja vijojnë të dalin nga tragjedia në Maqedoninë e Veriut në diskotekën “Puls”. Bëhet e ditur se bashkëshortja dhe vajza e pronarit të diskotekës “Puls”, ndodhen në polici. Policia ka kryer bastisje edhe në një tjetër objekt në pronësi të pronarit të diskotekës “Puls” dhe ka hyrë për kontroll në zyrat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Koçan, ndërsa pronari i diskotekës “Puls” ndodhet në një spital të Lituanisë. Ai është njëri prej katër pacientëve që po kurohen në këtë vend.
Gjithashtu numri total i të dyshuarve për zjarrin katastrofik në diskotekën “Puls” në Koçan ka arritur në 34 persona dhe është hapur një procedurë hetimore ndaj 27 individëve dhe tre personave juridikë, pas hetimeve të para që përfshinë shtatë nënpunës policor nga SPB Shtip dhe Koçan.
Aktualisht, janë ngritur akuza për vepra penale vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme dhe për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Hetimi për rastin në Koçan kryehet nga 11 prokurorë nga Shkupi, Koçani dhe Shtipi. Prokuroria Publike ka njoftuar se është duke vazhduar me kontrollet dhe masat e tjera hetimore që ndërlidhen me tragjedinë e madhe e të tmershme të 16 marsit në Koçan.
Organi i akuzës ka njoftuar se ka kryer bastisje në Koçan dhe Shkup, ka konfiskuar pajisje elektronike dhe mjetet e provës janë dorëzuar për ekspertizë. Në hetim do të përfshihet edhe Policia Financiare mbi dyshimet për inkriminimin e subjekteve të caktuara në tragjedinë e Koçanit.
Çfarë ndodhi në diskotekën “Puls”?
Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, mbi 650 persona, kryesisht të rinj, ishin duke u argëtuar në diskotekën Puls në Koçan, ku gjatë performancës së grupit muzikor të njohur DNK, pa pritmas shpërtheu një zjarrë i madh, gjë që bëri të humbin jetën 59 persona dhe mbi 190 persona të tjerë u lënduan, madje disa prej tyre ende janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan se çatia e lokalit u dogj dhe u shemb në disa vende, duke lënë të ekspozuara dhe të nxira trarët e tij të brendshëm prej druri. Si pasojë e zjarrit 59 persona humbën jetën dhe mbi 155 të tjerë mbetën të plagosur. Gjithashtu 20 prej të lënduarve dhe tre të vdekur janë nën moshën 18-vjeçare.

