Rajon
Tragjedia në Maqedoni/ 51 viktimat janë të moshës 14-25 vjeç

Zjarri tragjik që shpërtheu në diskotekën “Puls” në Koçan ka lënë 51 të vdekur dhe ka plagosur 118 persona, të cilët po marrin trajtim në spitale të ndryshme të Maqedonisë.
Viktimat janë të moshës nga 14 deri në 25 vjeç dhe vijnë nga qytetet e Shkupit, Shtipit, Koçanit dhe Probishtipit, njoftoi sot drejtoresha e Spitalit në Koçan, dr. Kristina Serafimovska.
Në këtë spital janë hospitalizuar 20 persona të moshës nga 18 deri në 23 vjeç. Drejtoresha e spitalit ka deklaruar se thirrja për zjarrin është pranuar në orën 02:48, dhe brenda 30 minutash spitali ka qenë i mobilizuar plotësisht. 70 pacientë me djegie dhe helmime nga monoksidi i karbonit janë transportuar në spital, ndërkohë që disa prej tyre kanë ndërruar jetë gjatë pranimit.
Për shkak të fluksit të madh të pacientëve, dr. Serafimovska ka kontaktuar spitalet në Maqedoninë Lindore dhe ka kërkuar ndihmë. Automjetet e Ndihmës së Shpejtë nga Shkupi dhe Velesi kanë mbërritur për të ndihmuar në transportimin e pacientëve, ndërkohë që ata me lëndime më të rënda janë transferuar në spitalet e Shtipit dhe Shkupit.
Spitalet që po trajtojnë të lënduarit përfshijnë Klinikën për Kirurgji Plastike, Klinikën për Anestezi – KARIL, Klinikën e Pediatrisë për Kujdes Intensiv, Klinikën për Neurokirurgji dhe Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, ndërkohë që disa janë transferuar edhe në Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Naum Ohri”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se aktualisht ka rezerva të mjaftueshme të gjakut, por do të informojë nëse do të ketë nevojë për më shumë derivate të gjakut.
Kryqi i Kuq ka dërguar ndihma për spitalin e Koçanit, përfshirë batanije, shtretër dhe karroca për personat me aftësi të kufizuara. Automjetet e Kryqit të Kuq janë vënë në dispozicion të institucioneve shtetërore për transportin e ndihmave.
Gjithashtu, janë hapur linja telefonike për ndihmë të parë psikologjike, të cilat do të funksionojnë 24/7 në numrat e mëposhtëm:
- 071/338-081 në Koçan
- 074/203-030 në Shtip
- 072/271-048 në Shkup.

