Kosova
Trajkoviç ngre alarmin për konfliktin që po vjen/ Kompromiset do shpien në katastrofë
Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviç, ka deklaruar se gatishmëria e Serbisë për të bërë kompromise për Kosovën mund të nënkuptojë vetëm ndarje të territorit, por edhe konflikte.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Millosh Vuçeviç se Serbia është “gati të bëjë kompromise” për Kosovën, Trajkoviç i tha agjencisë Beta se kjo ishte një përpjekje e autoriteteve në Beograd për t’u kthyer në “pozitat e tyre fillestare” me qëllim ndarjen e territorit.
“Megjithatë, edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, në thelb ia dorëzoi Prishtinës të gjitha institucionet dhe jetën e serbëve, funksionaliteti i autoriteteve të Prishtinës nuk është realizuar. Mesazhet që tregojnë për ndarjen e Kosovës paralajmërojnë destabilizim te ri dhe një fushatë kundër Serbisë dhe serbëve që nuk na duhet në këtë moment” – theksoi Trajkovic duke potencuar se Albin Kurti kontrollon veriun e Kosovës me ndihmën e forcave speciale policore dhe sipas saj, siguria në Kosovë çdo ditë e më shumë po rrezikohet.
“Kurti zbaton ideologjinë e formimit të Shqipërisë së madhe, ndërsa Vuçiq përmes Vuçeviqit kërkon edhe një herë ndarjen e Kosovës. Të gjithë e dinë se kjo nuk mund të arrihet pa konflikt. Të dyja këto strategji mund të shkaktojnë konflikt që do të përfundonte me dëbimin e serbëve nga veriu apo me hyrjen e forcave tona ushtarake në veri të Kosovës në emër të mbrojtjes së serbëve” – deklaroi politikania nga veriu I Kosoves dhe theksoi se NATO po sjell një numër në rritje të ushtarëve në Kosovë.
“NATO nuk dëshiron të ndryshojnë kufijtë e territorit. Nëse Serbia do të bëhej anëtare e NATO-s, çështja e statusit të Kosovës do të ndalohej”- theksoi Trajkoviq.