Connect with us

Kronike

Tre njoftime dhe tre herë korigjime/ Si Policia ndryshoi njoftimin e sherrit në Palasë pas zbardhjes nga media

 Tre njoftime dhe tre herë korigjime që nuk korespondojnë me njëra-tjetrën janë dhënë që nga pasditja e djeshme e deri pasditen e sotme nga ana e policisë së shtetit në lidhje me sherrin masiv të ndodhur natën e e 24 gushtit, në të gdhirë të 25 gushtit në lokalin “Sin” në Palasë. Mbrëmja kur u shënua përplasja fizike ishte pikërisht mbrëmja ku në zonën ekskluzive do të performonte, pas koncertit në Tiranë, këngëtari grek Konstantinos Argiros.

Në tre njoftime të sjella nga policia, i pari pasditen e djeshme, i dyti mëngjesin e sotëm dhe i treti pasditen e sotme, në asnjë rast tregohet kronologjia e asaj çka devijoi ndoshta në një përplasaje masive fizike. Policia është mjaftuar me togfjalëshin “motive të dobëta”. Sikur të mos mjaftonte kjo, për asnjërin prej personave qoftë të lënduar apo të shpallur në kërkim, nuk bëhet përcaktimi i rolit, funkionit, apo ndoshta dhe profesionit dhe se çfarë i lidhte me vendin e ngjarjes. Në media në fakt u raportua se të paktën njëri prej tyre ishte person me lidhje të forta në botën e biznesit dhe i njohur dhe më parë nga ngjarje të tjera, e vetëm pas kësaj, në deklaratën e tretë policia njoftoi se edhe Fatmir Bejo, personi në fjalë, ishte i shpallur në kërkim.

Natën kur ndodhi ngjarja, në këtë lokal ishin dhe Luçiano (Turi) Koçeku, Fatmir Bejo, Xhoni Spaho, Genti Baleci, Klajdi Cerri si dhe Fatbardh Aliaj. Në dy kampe, ata po festonin, por lagia me shampanjë e njërit prej tyre, ka nxitur si duket sherrin. Në media u aludua sesahpanja ka qenë thjesht preteksi për të pasur një përplasje mes grupeve, por nga policia nuk u tha asgjë. Në fakt nga kjo ngjarje dolën të dëmtuar, Luçiano Koçeku dhe Fatbardh Aliu.

Njoftimi i parë nga policia pasditen e 26 gushtit:

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin V. K., 26 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis. Komisariati i Policisë Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin A. D., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi A. H., se 46-vjeçari i ka dëmtuar me zjarr disa pemë ulliri dhe bimë frutore. Komisariati i Policisë Himarë referoi materiale në Prokurori dhe punohet për kapjen e shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i dytë nga policia mëngjesin e 27 gushtit pasi në media u shpërndanë pamjet nga ngjarja, nuk përmendën emrin e Fatmir Bejos:

Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme për shpalljen në kërkim të shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se më datë 26.08.2024, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç, ju bëjmë me dije se: Në vijim të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe këqyrja e pamjeve filmike, një pjesë e pamjeve janë bërë publike në rrjete sociale dhe në disa media, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër shtetas që dyshohet se është përfshirë në këtë konflikt, shtetasi G. B., 49 vjeç, banues në Durrës. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S. dhe G. B. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i tretë nga policia pasditen e 27 gushtit, jepet data gabuar për kohën kur ndodhi ngjarja, Fatmir Bejo përfshihet në personat e shapllur në kërkim:

Në vijim të njoftimeve të dhëna më datë 26.08.2024 dhe 27.08.2024, për një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e një kompleksi në fshatin Palasë, ju informojmë se: Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë. Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve: F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë. Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S., G. B., F. B., dhe K. C. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme./dosja.al

Advertisement