Connect with us

Aktualitet

Tre zhvillime që paralajmërojnë që Kosova dhe Ballkani janë në prag të ndryshimeve historike

Nga Red Varaku

Më 4 gusht 2025, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, pranoi një letër falënderimi nga Presidenti i SHBA, Donald Trump. Në pamje të parë, një akt protokollar diplomatik. Por në fakt, kjo letër vjen në një kohë kur zhvillimet në rajon dhe në skenën globale po ngjeshen me shpejtësi dhe sinjalizojnë se Kosova dhe Ballkani Perëndimor ndodhen në qendër të një lëvizjeje të madhe strategjike.
Në letrën zyrtare me stemën e Shtëpisë së Bardhë, Trump e cilëson Presidenten Osmani si një “mik të vërtetë të SHBA” dhe falënderon Kosovën për rolin e saj humanitar dhe partneritetin e palëkundur me Uashingtonin.
Në realitet, ky nuk është thjesht një gjest miqësor, por një pozicionim i qartë politik dhe diplomatik i Kosovës në boshtin perëndimor të ndikimit në rajon.
Pak ditë më vonë, Zyra e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, përmes zëdhënëses Tammy Bruce, publikoi një deklaratë ku konfirmohet se Rubio ka zhvilluar një takim të drejtpërdrejtë me ministrin e jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.
Sipas deklaratës:
“Ata ranë dakord që SHBA dhe Serbia do të zhvillojnë një dialog strategjik bilateral më vonë këtë vit për të thelluar marrëdhëniet ekonomike dhe të sigurisë. Diskutuan gjithashtu rëndësinë e uljes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me Kosovën dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të hapur rrugën për rritje ekonomike dhe prosperitet.”
Ky mesazh është i qartë: SHBA po ripërcaktojnë rolin e tyre në rajon, me një qasje të balancuar, duke forcuar aleancat ekzistuese Kosovën, por edhe duke afruar Serbinë në orbitën e tyre ekonomike dhe strategjike.
Zhvillimi i tretë vendimtar i kësaj jave vjen nga Sarajeva. Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka vendosur shkarkimin e Milorad Dodikut, liderit separatist të Republikës Srpska dhe përfaqësuesit më të zëshëm të Kremlinit në rajon.
Kjo lëvizje përbën zhbllokimin institucional të një prej nyjeve më të mëdha në Bosnje, dhe është sinjal i qartë se strukturat euroatlantike janë të vendosura për të pastruar pengesat në rrugën drejt një marrëveshjeje rajonale gjithëpërfshirëse.
Ndërkaq, në sfondin e këtyre lëvizjeve rajonale, qëndron kryengjarja, takimi i shumëpritur mes Presidentit Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin, i cili pritet të mbahet javën e ardhshme.
Sigurisht, në këtë takim, Ballkani nuk do të jetë çështja kryesore, por do të jetë me siguri një ndër çështjet e rëndësishme të tryezës, pasi Rusia kërkon të ruajë ndikimin përmes Bosnjës dhe Serbisë, ndërsa SHBA po ndërton me kujdes një hartë të re të stabilitetit dhe zhvillimit në Ballkan.
Në këtë kontekst Kosova ndodhet në momentin më të rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë.
Ndaj, është e qartë që letra e Trump për Osmanin , takimi Rubio–Gjuriç, dhe shkarkimi i Dodikut jo vetëm nuk janë ngjarje të shkëputura, por ato janë elementë të një tërësie më të madhe që sinjalizon se rajoni po përgatitet për një marrëveshje të re, ndoshta historike dhe Kosova ndodhet në qendër të kësaj tryeze, si aleati më i besueshëm i SHBA.
Por historia ka treguar se momente të tilla nuk zgjasin shumë. Ato duhen kapur, menaxhuar dhe kapitalizuar me lidership, unitet dhe strategji. Sepse, nëse vendimet do të merren në Uashington dhe Moskë, atëherë Kosova duhet të jetë e përgatitur që të mos jetë vetëm objekt bisedimesh, por subjekt me peshë në to.
Advertisement