Kronike
Tregtari i naftës/ Del fotoja e të arrestuarit, si u dekonspirua operacioni i SPAK
Janë zbuluar detaje të reja nga operacioni i SPAK në zonën e Manzës në Durrës, ku u arrestuan vetëm dy vetë, Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçuri.
Të dy personat në bashkëpunim dhe me individë të tjerë shqiptarë dhe italianë, janë marrë me veprimtari kriminale të trafikut të drogës në Itali, Zvicër dhe vende të tjera. Por një pjesë të shumave të parave i kanë shpenzuar në Shqipëri.
Ky që shihni në këtë foto është Arjanit Maloku, i cili në vitin 2011 ka hapur në zonën e Fushë-Krujës një biznes karburant për shitjen me pakicë të lëndëve djegëse dhe vajrave lubrifikantë.
Kjo kompani e themeluar prej tij quhet “Gorica” por aktualisht është me status ekonomik e pezulluar duke mos ushtruar aktivitet tregtar.
Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçuri, ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë.
SPAK thotë se tashmë grupi është shkatërruar gjatë një operacioni të përbashkët ndërkombëtarë të ndërmarrë njëkohësisht në 4 shtete.
Deri tani janë lëshuar 61 urdhër-arresti ndërsa janë arrestuar 21 persona. Mes të ndaluarve ka edhe shtetas shqiptarë të dyshuar, teksa autoriteteve u janë dashur 4 vite hetime.
Ky grup kriminal e ushtronte aktivitetin kriminal në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër, ku dhe u shtri operacioni në bashkëpunim me Eurojust, Europol.
Ndërkohë në Tiranë dhe Durrës, për këtë operacion flitej për më shumë se 1 javë. Informacioni kishte dalë përpara se SPAK dhe policia të ndërhynte, ndaj që edhe këtë herë, rrjedhja e të dhënave sekrete para se operacioni të vihej në zbatim për ekzekutimin e masave të sigurisë, kishte marrë dhenë.
Këto informacione dolën sapo kreu i SPAK Altin Dumani vizitoi Zvicrën, ku zhvilloi një takim zyrtar me prokurorin e Përgjithshëm të këtij shteti.
Nga ana tjetër teksa SPAK zbriti në gjykatë kërkesën për caktimin e masave të sigurisë “arrest në burg” dhe kontrollin e 21 banesave, të dhënat dolën në publik, megjithëse nuk u botuan në media, ku ne si gazetarë pritëm derisa të dilte SPAK me një njoftim zyrtar.
Por njësoj si në rastet e tjera edhe këtë radhë, rrjedhja e informacionit nga dyert e SPAK dhe Gjykatës, la për të dëshiruar.