Ekonomi
Tregu i punës favorizoi të rinjtë në korrik-shtator, 2600 më shumë të punësuar se më 2019
Të dhënat e INSTAT nga Anketa e Forcave të Punës tregojnë se, gjatë tremujorit të tretë 2020 ishin të punësuar 2640 të rinj më shumë se në të njëjtën periudhe të një viti me parë. Punësimi i të rinjve u përmirësua edhe në raport me tre-mujorin e dytë të vitit ku raportohen 17 mijë të punësuar më shumë.
Megjithë përmirësimet shkalla e papunësisë ndër të rinjtë në vendin tonë arriti në 20,7 %. Si rezultatet i përmirësimit të punësimit, në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në ulje. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2020 është 0,7 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e dytë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është ulur me 0,7 pikë përqindje.
Punësimi i të rinjve performoi më mirë në krahasim me grupmoshat e tjera pasi ata janë aktivizuar në sektorë të tillë si teknologjia e informacionit, call center dhe TIK, të cilat nuk u ndikuan nga pandemia përkundrazi u zgjeruan për shkak të bllokimit të lëvizjeve, përveç call center që rikuperoi shpejt.
Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9,0 %. Në terma vjetorë ky tregues është rritur me 0,5 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u ul me 0,5 pikë përqindje.
Në të gjithë Europën, Shqipëria ka normën më të lartë të të rinjve të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk po ndjekin shkollën apo ndonjë trajnim. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka ilustruar me një hartë se si është situata e punësimit të të rinjve në Europë me të dhënat e vitit 2018 dhe Shqipëria fatkeqësisht renditet në krye të Europës për përqindjen më të lartë të të rinjve të pa punë pa arsimuar dhe pa trajnuar, me 32.8% të totalit, duke ia kaluar edhe Moldavisë, vendit më të varfër të Europës.
Papunësia e të rinjve është një fenomen shqetësues në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç Malit të Zi. Në Bosnje dhe Hercegovinë përqindja e të rinjve të papunë ishte 26.4 më 2018, ndërsa në Maqedoni dhe Serbi, përkatësisht 24.9 dhe 23.8 për qind. Në Kosovë norma e papunësisë përllogaritet rreth 30.1%.
Për të rinjtë e papunë, rrugëzgjidhje mbetet emigrimi në vendet, ku norma e papunësisë së të rinjve është shumë më e ulët. Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, po përjeton një valë emigrimi të grupmoshave të reja drejt vendeve të Europës Perëndimore.
Monitor/