Lifestyle
Trendi i ri i marrëdhënieve, çiftet flenë në dhoma të ndara
Kur dëgjojmë se dy partnerë flenë në dhoma veç e veç, menjëherë mendojmë se lidhja ka probleme, se jeta e tyre seksuale “ka shteruar” dhe se divorci po shfaqet në horizont.
Nëse njëri nga partnerët fle në divan, ose në sallon, presupozojmë se çifti nuk shkon mirë, por kjo nuk vlen gjithmonë.
Sipas një trendi të ri, gjithnjë e më shumë çifte zgjedhin të flenë në dhoma gjumi të ndryshme, por për një arsye krejt të ndryshme: duan thjesht të flenë rehat (30% e amerikanëve thonë se flenë më mirë vetëm) dhe kjo nuk do të thotë se nuk janë më të dashuruar me njëri-tjetrin.
Arsyet se pse partnerët e një çifti të lumtur zgjedhin të flenë në dhoma të ndara, edhe pas një seksi të mirë:
- Njëri nga partnerët do të flejë duke parë televizor, ndërsa tjetrin nuk e zë gjumi kur ekrani është i ndezur.
- Njëri nga partnerët ka apne gjumi, apo gërhet, duke zgjuar edhe “shokun e dhomës” me zhurmën e tij, në orë jo të zakonta (në 2 të natës, për shembull).
- Dy partnerët kanë orare të ndryshme pune dhe/ose preferenca të ndryshme në gjumë. Për shembull, një muzikant mund të luajë kitarë dhe të kompozojë deri në orët e vona, ndërsa partnerja e tij zgjohet në orën gjashtë të mëngjesit për të vajtur në punë dhe duhet të shkojë për të fjetur në orën 9 të darkës.
- Njërit i pëlqen të flejë në një mjedis të freskët, me dritaret hapur, ndërsa tjetri preferon të flejë në një dhomë të ngrohtë, të jetë i/e mbuluar mirë dhe i veshur me pizhama të trasha.
- Njëri preferon një dyshek të butë, ndërsa tjetri duhet të flejë në dyshek të fortë. Madhësia e dyshekut është gjithashtu një problem më vete.
- Njëri vuan nga pagjumësia dhe i pëlqen të lexojë derisa ta zërë gjumi, por kjo mund të shqetësojë partnerin tjetër. Kjo vlen sidomos për çiftet e moshuara, sepse me kalimin e moshës, gjumi bëhet më “i ndjeshëm”.
Nëse një çift nuk i zgjidh problemet e mësipërme, ka gjasa që të lindin pakënaqësitë, nervoziteti, zemërimi dhe zënkat. Përkundrazi, kur gjendet një mënyrë me të cilën që të dy partnerët do të bëjnë gjumë të mjaftueshëm dhe cilësor, jo vetëm që do të jenë më të qetë dhe produktivë, por mund të përmirësohet edhe jeta e tyre seksuale.