Aktualitet
Tritoli ndaj gjyqtarit/ KLGJ: Ky akt përbën kërcënim serioz për gjithë shoqërinë
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar në lidhje me krimin e regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, ku iu vendos tritol derës së oborrit të banesës së gjyqtarit Tonin Sterkaj, ku nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.
KLGJ përcjell shqetësimin për këto akte që sipas saj, cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare. KLGJ dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
Dyshimet e para të grupit hetimor janë se motivi i ngjarjes lidhet për shkak të detyrës së gjyqtarit Tonin Sterkaj. Ai është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Reagimi i KLGJ-së:
Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.