Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, zbuloi në një intervistë me Channel 13 se Izraeli kishte ndërmend të eliminonte Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ali Khamenei. Ai tha se mundësia për të realizuar një objektiv të tillë nuk u paraqit kurrë.

“Nëse ai do të kishte qenë në shënjestër tonën, ne do ta kishim eliminuar atë”, tha Katz, duke shtuar: “Ne donim të eliminonim Khamenein, por nuk kishte mundësi operacionale”.

I pyetur nëse Izraeli kishte kërkuar miratimin amerikan për një veprim të tillë, Katz u përgjigj: “Nuk kemi nevojë për leje për gjëra të tilla”.

Sot, lideri iranian Ajatollah Khamenei bëri reagimin e parë pas arritjes së armëpushimit dhe ndalimit të luftimeve me Izraelin. Khamenei e quajti fitore të Iranit stopimin e luftës, ndërsa shtoi se SHBA-të nuk realizuan objektivat e tyre kur bombarduan impiantet bërthamore në Iran.