Kronike
Tronditëse/ 4-vjeçarja rri me nënën e vdekur: Shhht është në gjumë
Një 40-vjeçare me origjinë shqiptare,është gjendur e vdekur në banesën e saj në të cilën jetonte vetëm me vajzën e saj të mitur në Vigevano të Italisë.
Sipas mediave vendase, kanë qenë familjarët e shqiptares që kanë bërë zbulimin shokues, madje ajo që është më tronditëse është fakti se 4-vjeçarja nuk e kishte kuptuar që nëna e saj kishte ndërruar jetë.
“Mos bëni zhurmë se po fle mami”-këto kanë qenë fjalët që vogëlushja i ka thënë tezes së saj kur ka shkuar në shtëpinë e së motrës.
Sipas informacioneve paraprake thuhet se 40-vjeçarja ka ndërruar jetë nga një sëmundje gjatë natës dhe vogëlushja ka ndenjur në shtëpi me nënën e vdekur gjatë gjithë natës. Motra e shqiptares, e shqetësuar pse ajo nuk po i përgjigjej në telefon, ka shkuar në banesë për ta verifikuar.
Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në Vigevano, në një apartament në via Pergolesi, ku janë thirrur shërbimet shëndetësore, por kanë mundur të konstatojnë vetëm vdekjen e ndodhur prej disa orësh dhe policia, e cila nuk ka gjetur asgjë që mund të sugjeronte për dhunë. Pasi u konstatua vdekja nga shkaqe natyrore, nuk u urdhërua as autopsi dhe trupi u la menjëherë në dispozicion të familjarëve për varrim. Ndërkohë, vogëlushja u nxor menjëherë nga banesa nga tezja e saj, e cila tani do t’i duhet t’i shpjegojë vogëlushes se nëna e saj nuk po flinte siç e kishte menduar, pa pësuar një traumë të menjëhershme.