Bota
Tronditëse/ I copëtuar në Kolumbi, gjendet brenda një valixhe trupi i shkenctarit italian

Trupi i shkencëtarit të njohur 42-vjeçar nga Italia, Alessandro Coatti, është gjetur i copëtuar brenda një valixheje në qytetin kolumbian Santa Marta, ku Alessandro kishte shkuar për pushime.
Valixhja me trupin ishte hedhur në një përrua aty pranë, dhe sipas asaj që raporton “Daily Mail”, policia ka gjetur vetëm kokën, duart dhe shputat, ndërsa ende janë në kërkim të pjesës së trungut dhe pjesëve të tjera të trupit.
Alessandro ishte me prejardhje nga Italia, por për vite me radhë kishte jetuar dhe punuar në Londër. Ai kishte pasion për të studiuar natyrën.
Ky zbulim i tmerrshëm ndodhi pasi disa fëmijë gjetën një valixhe me përmbajtje të frikshme teksa luanin në pyllin në Santa Marta, Kolumbi.
Coatti kishte planifikuar të vizitonte parkun kombëtar Tayrona të dielën në mëngjes, sipas asaj që deklaruan për “El Espectador” punonjësit e hotelit ku po qëndronte. Në këtë zonë idilike, 34 kilometra larg nga Santa Marta, ishte e mundur të studiohej në mënyrë të pashqetësuar natyra e larmishme që tërheq biologët molekularë. Por kur Coatti nuk ishte kthyer të nesërmen, miqtë e tij kishin njoftuar policinë.
Pasi u bë e ditur se turisti ishte gjetur i vdekur, nisi menjëherë një hetim i gjerë, dhe kryetari i komunës së Santa Marta-s, Carlos Pinedo Cuello, ofroi një shpërblim prej 10.000 eurosh për informacion që do të çojë në arrestimin e përgjegjësve për vrasjen e Alessandro-s.
“U kam urdhëruar autoriteteve që të bashkojnë forcat dhe ta zgjidhin çështjen e vdekjes së shtetasit italian Alessandro Coatti. Po ofrojmë një shpërblim prej 50 milionë pesos kolumbianë për informacion. Ky krim nuk do të mbetet i pandëshkuar,” deklaroi kryetari i komunës.
Ndryshe, Coatti po qëndronte në një hostel në Santa Marta, dhe për herë të fundit ishte parë të premten. Mbetjet e tij u gjetën të dielën pranë rrugës që çon drejt stadiumit të futbollit në Sierra Nevada.
Shkencëtari u identifikua me ndihmën e një byzylyku që kishte marrë gjatë regjistrimit në hotel – ai ndodhej në njërën nga pjesët e trupit të gjetura në valixhe.
Përndryshe, Coatti punonte në Shoqatën Mbretërore për Biologji që nga prilli i vitit 2017, fillimisht si zyrtar për politikat shkencore, dhe gjatë gjashtë viteve të fundit si zyrtar i lartë.

