Një ndër viktimat e masakrës së rëndë në qytetin e Grazit në Austri, ku një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme ka lënë të paktën 10 persona të vdekur, është edhe një vajzë nga Kosova.

Lajmin për përfshirjen e një shtetaseje kosovare në mesin e viktimave e ka konfirmuar gazetari kosovar Vehbi Haliti, i cili jeton dhe vepron në Graz.

Në një prononcim për Frontal të T7, Haliti tha se vajza ishte bija e një anëtari të kryesisë së Unionit Humanitar në Graz.

“Fatkeqësisht po them se është e saktë. Është një vajzë e një aktivisti tonë këtu në Graz. Është një tragjedi ndër më të mëdhatë në Austri pas Luftës së Dytë Botërore, sa i përket tragjedive të qëllimshme,” deklaroi Haliti, duke shtuar se për arsye privatësie nuk do të publikonte identitetin e viktimës.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, konfirmoi se autori i sulmit ishte një 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës, i cili e kishte lënë shkollën pa e përfunduar.

Pas kryerjes së masakrës, ai kreu vetëvrasje në vendin e ngjarjes.

Përveç viktimave, 12 persona të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të sulmit janë ende në zhvillim.

Në shenjë zie, kancelari austriak Christian Stocker ka shpallur tre ditë zie kombëtare, ndërsa nesër në orën 10:00 pritet të mbahet një minutë heshtje në të gjithë vendin.